BE u kërkon vendeve anëtare që të mbushin depozitat e gazit për dimrin e ardhshëm

Bashkimi Evropian (BE) ka propozuar legjislacionin që u kërkon vendeve anëtare të mbushin objektet nëntokësore të depozitimit të gazit natyror për dimrin e ardhshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për mediat pas takimit javor të anëtarëve të Komisionit Evropian, zv/presidenti ekzekutiv dhe komisioneri për tregti, Valdis Dombrovskis tha se në takim janë diskutuar ndikimet e luftës Rusi-Ukrainë në fushën e energjisë.

Si rezultat, tha Dombrovskis, ata ranë dakord të punojnë në disa zgjidhje për të rritur sigurinë e furnizimit me energji për dimrin e ardhshëm si dhe në trajtimin e rritjes së çmimeve të energjisë dhe shmangien e ndërprerjeve të energjisë në kulmin e kërkesës dimërore.

“Ne po propozojmë një rregullore legjislative që do të kërkojë që vendet anëtare të mbushin 80 për qind të kapaciteteve të tyre nëntokësore të depozitimit të gazit deri më 1 nëntor për këtë vit dhe 90 për qind për vitet në vijim”, tha Dombrovskis.

Ai shtoi se Komisioni Evropian është i hapur ndaj mundësisë së blerjes së përbashkët të gazit me vendet anëtare dhe për krijimin e një grupi të përbashkët negociues për të siguruar energji të besueshme dhe me kosto të ulët.

Komisioneri evropian për tregti njoftoi se liderët e vendeve anëtare të bllokut do të diskutojnë për këtë çështje në samitin e BE-së që do të mbahet këto dy ditë, më 24 dhe 25 mars.

Projekt-propozimi duhet t’u dërgohet vendeve anëtare të BE-së për miratim në mënyrë që të hyjë në fuqi.

Sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, në vitin 2021 blloku evropian importoi mbi 380 milionë metra kub gaz në ditë përmes gazsjellësit nga Rusia, respektivisht 140 miliardë metra kub brenda vitit, përfshirë 15 miliardë gaz të lëngshëm natyror (LNG).

155 miliardë metra kub gaz të importuar nga Rusia përbënin rreth 45 për qind të importeve të BE-së në vitin 2021 dhe pothuajse 40 për qind të konsumit të saj të përgjithshëm të gazit.

Nivelet e depozitimit të gazit në BE janë ulur në 25 për qind, përkatësisht nën nivelet e regjistruara gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.