Bekim Jashari publikon çertifikatën e vdekjes së Adem Jasharit, si kundërpërgjigje ndaj Nexhmedin Spahiut

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari është kundërpërgjigjur ndaj analistit Nexhmedin Spahiu i cili ka thënë se datëlindja e komandantit legjendar, Adem Jashari, është e falsifikuar.

Bekim Jashari që është djali i Hamëz Jasharit, ka publikuar mbrëmë vonë, çertifikatën e vdekjes së axhës së tij, Adem Jasharit, duke dëshmuar të kundërtën e asaj që ka thënë Spahiu, përcjell Klan Kosova.

Në dokumentin e publikuar nga Bekim Jashari, shkruan se Adem Jashari është i lindur më 28 nëntor 1955 dhe jo siç ka deklaruar Spahiu se ka gjetur nëpër arkiva që komandanti i UÇK-së, ka qenë i lindur më 10 tetor të të njëjtit vit.