Bekim Jashari rikandidon për kryetar të Skenderajt

Bekim Jashari ka njoftuar se do të kandidojë edhe për një mandat për kryetar të Skenderajt.

Jashari përmes një postimi në Facebook, ka kërkuar besimin e qytetarëve për të udhëhequr Komunën e Skenderajt edhe për një mandat.

“Të dashur qytetarë, nën betimin për të vazhduar qeverisjen time transparente dhe me duar të pastra, për të vazhduar me projekte të tilla edhe më madhore, për të arritur zhvillim ekonomik, mirëqenie, punësim të të rinjve, infrastrukturë moderne, furnizim të rregullt me ujë të pijshëm, trajtim të ujërave të zeza, mbrojtje të mjedisit e planifikim të duhur hapësinor, kam vendosur që: Të kërkoj nga ju edhe një mandat qeverisës si kryetar i Skenderajt, me vendosmërinë më të madhe për t’iu shërbyer edhe për 4 vitet e ardhshme”, ka shkruar ai.

Për më shumë, postimi i plotë:

Të dashur bashkëqytetarë të komunës sonë,
Të dashura familje të dëshmorëve, veteran e invalid të UÇK-së,

Të dashur të rinj të komunës sonë,
Nëna, motra dhe vëllezër,

4 vite me parë mora një vendim jo të lehtë për mua dhe familjen time, inkuadrimi im në jetën politike në rrethanat në të cilat po kalonte shteti ynë nuk ishte i lehtë, por duke qenë pjesë e jetës në komunën tonë, duke parë problemet dhe sfidat e mëdha me të cilat po ballafaqohej komuna jonë, duke qenë i vendosur për t’i shërbyer vendit tim dhe qytetarëve pa asnjë dallim, me kërkesë të qytetarëve pranova që të kandidoj për kryetar të komunës sonë, në zgjedhjet lokale të vitit 2017.

Përkrahja plebishitare e juaj për mua dhe qeverisjen time ishte obligimi im që të punoj më përkushtim maksimal për një jetë më të mirë për secilin qytetar të komunës sonë, për çka i jam falënderues përjetë secilit prej jush.

Qeverisjen time lokale në udhëheqje të qytetarëve të Skenderajt e fillova me betimin që bëra pranë varreve të familjarëve të mi, gjyshit, Shaban Jashari, Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit, babushit Hamëzes dhe dëshmorëve të kombit në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Marinë.

Pranë tyre dhashë betimin që çdo ditë, javë, muaj e vit do të angazhohem t’i shërbej secilit qytetar dhe ngritjes së mirëqenies së tyre, duke u angazhuar për një qeverisje të mirë dhe transparente.

Siç e dini, gjatë fushatës parazgjedhore të vetmin premtim që kam dhënë ka qenë qeverisja transparente dhe me duar të pastra, përtej kësaj falë bashkëpunimit që kemi ndërtuar dhe me përkrahjen edhe të nivelit qendror dhe donatorëve kemi arritur që krahas instalimit të një qeverisje që në qendër ka qytetarin, respektimin e shprehjes se lirë e mendimit ndryshe kemi arritur që të realizojmë shumë projekte infrastrukturore në shumë fusha dhe reforma në administratë që kanë ndikuar në avancimin e shërbimeve për qytetarët.

Angazhimin tim si kryetar i komunës e kam filluar me rivarrimin e dëshmorëve të kombit tonë, falë gjakut të së cilëve sot jetojmë të lirë e të pavarur. Proces ky i realizuar me sukses, duke krijuar kështu një vend dinjitoz ku pushojnë së bashku dëshmorët tonë.