Belgjikë, 6 persona humbin jetën pasi një automjet përplaset me turmën e karnavaleve

Drejtuesi i automjetit është arrestuar nga policia. Ndërsa dy të rinj që ndodheshin në automjet janë larguar dhe se po kërkohen nga policia

Të paktën 6 persona kanë humbur jetën pasi një automjet është përplasur me turmën e cila ishte mbledhur në orët e para të mëngjesit për të zhvilluar festën e karnavaleve në rajonin La Louviere të Belgjikës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në mediat vendase, një automjet është futur me shpejtësi në mesin e personave të cilët ishin mbledhur në rrugë rreth orës 05:00 sipas kohës lokale në rajonin Strepy për të zhvilluar festimet e karnavaleve.

Në mesin e personave që u përplasën nga automjeti, kanë humbur jetën 6 persona, përfshirë një fëmijë.

Kryetari i Bashkisë së La Louviere, Jacques Gobert tha se në ngjarje u plagosën rëndë 10 persona ndërsa 24 të tjerë lehtë. Gobert më tej tha se automjeti ka vazhduar rrugën pasi ka përplasur njerëzit dhe se kanë mundur ta ndalojnë automjetin pas një kohe.

Dëshmitarët theksuan se në një bulevard të gjatë u mblodhën rreth 150 persona dhe se automjeti me shpejtësi ka hyrë në mesin e turmës pa frenuar.

Një nga dëshmitarët e ngjarjes tha: “Dëgjuam një zhurmë të lartë që vinte prapa nesh. Automjeti e shtonte shpejtësinë. E kuptuam se diçka do të ndodhte dhe automjet u fut në mesin e turmës”.

Drejtuesi i automjetit është arrestuar nga policia. Ndërsa dy të rinj që ndodheshin në automjet janë larguar dhe se po kërkohen nga policia. Ndërkohë nuk janë dhënë informacione rreth identitetit të drejtuesit të mjetit dhe lidhur me ngjarjen. /aa