Besimtarët ortodoksë në Maqedoninë e Veriut sot festojnë Pashkët Ortodokse, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, raporton Anadolu.
Në Katedralen “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, mbrëmë u mbajt liturgjia solemne e Ringjalljes së Krishtit – Pashkëve, e cila përbën kulmin e festimeve.
Shërbesën liturgjike e udhëhoqi Kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, g.g. Stefan, në një atmosferë të mbushur me besimtarë.
Në katedrale dhe në tempuj të tjerë në vend, u organizuan lutje dhe shërbesa fetare, ndërsa shumë qytetarë morën pjesë në kremtime familjare të Pashkëve.
Sot gjatë ditës besimtarët po i vazhdojnë vizitat në kisha, duke festuar me familjet e tyre.
Pashkët Ortodokse shënojnë ringjalljen e Krishtit dhe konsiderohen festa më e rëndësishme për komunitetin ortodoks.







