Betohen edhe 257 ushtarë të rinj

Nga sot Forcës së Sigurisë së Kosovës i janë bashkuar edhe 257 ushtarë të rinj. Në ceremoninë e betimit të këtyre rekrutëve të rinj e cila u mbajt në kazermën e Komandës dhe Doktrinës në Ferizaj, komandantja supreme e Ushtrisë së Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se me këtë numër të rekrutëve FSK-ja gjithnjë e më shumë po zhvillohet konform standardeve profesionale dhe në harmoni me praktikat e ushtrive më moderne në botë.

Presidentja e Kosovës u shpreh se anëtarësimi i Kosovës në NATO është domosdoshmëri dhe se në këtë drejtim po punojnë në përgatitjen më të mirë të ushtrisë së Kosovës.

“Agresioni i Rusisë këto ditë po tregon gjithmonë se do të gjinden forca që do të duan ta shkatërrojnë paqen dhe duan ta cenojnë lirinë dhe të drejtën e kombeve për të jetuar të lirë. Ne e kemi provuar të njëjtën gjë më parë prandaj nuk do të ndalemi asnjëherë që ushtrinë tonë ta përgatisim sa më mirë dhe ta rrisim sa më shumë në mënyrë që ajo të jetë të gatshme jo vetëm për sigurinë e shtetit tonë por edhe një partnere e besueshme e aleatëve tanë në NATO, aleancë në të cilën synojmë të anëtarësojmë Republikën e Kosovës. Anëtarësimi në NATO është domosdoshmëri dhe i ndihmon paqes dhe stabilitetit rajonal. FSK çdo ditë e më tepër po shndërrohet në forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s falë këmbëngulësisë të pjesëtarëve të saj dhe mbështetje të përhershme nga institucionet e vendit, por edhe nga aleatet tanë perëndimor e para se gjithash nga SHBA-ja”, tha Osmani.

“Me ju sot nuk po e rrisim vetëm numrin e efektivëve të ushtrisë sonë, por edhe sigurinë dhe garancinë për një të tashme e të ardhme më të mirë, sytë tanë janë sot nga ju, shpresa jonë është e varur tek ju, synimi ynë është paqja dhe nuk duhet të lejojmë që ajo të na cenohet nga askush. Objektivi ynë është BE-ja, është NATO dhe organizata tjera ndërkombëtare ku Kosova e meriton të jetë, të cilat e forcojnë edhe më tej subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë krahas forcimit të kompetencës të mbrojtjes dhe sigurisë”, u shpreh Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se ushtria jonë po i shton radhët me vajzat dhe djemtë të rinj që atdhedashurinë po e transformojnë edhe në profesionalizëm. Derisa ka inkurajuar vajzat dhe gratë që sa më shumë të bëhen pjesë e ushtrisë.

“Sikurse dikur djemtë dhe vajzat e UÇK-së që bartën mbi supe idealin e lirisë sonë sot ju mbani mbi supet tuaja idenë e mbrojtjes së lirisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Për 9 javë të trajnimit rekrutët të cilët po certifikohen sot kanë dëshmuar shkathtësi, përgatitje dhe profesionalizëm të udhëhequr nga instruktorë të zot të ushtrisë sonë. Sot FSK-së po i shtohen edhe 257 rekrutë të certifikuar, vajza e djemtë, me të cilët forca jonë po rrit numrin e pjesëtarëve të saj në mbi 3 mijë. FSK ka krijuar mundësinë për shanse të barabarta ndaj inkurajoj vajzat dhe gratë që sa më shumë të bëhen pjesë e ushtrisë sonë edhe më tutje”, tha ajo.

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tha se Kosova nuk do të mund të ishte këtu ku është tani pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), derisa u shpreh se komandant i përjetshëm i ushtrisë së Kosovës është Komandanti Legjendar, Adem Jashari.

Ndërsa, theksoi se investimet në ushtri, blerja e pajisjeve dhe mirëqenia e ushtrisë mbetet prioritet i tyre.

“Të dashur ushtarë jashtë jetës suaj profesionale do të keni eprorë dhe udhëheqës të ndryshëm, por një e keni të përhershëm dhe të përjetshëm dhe ai është komandanti legjendar, Adem Jashari. Sa herë që rreziqet na kanosin, sa herë që rrugët bëhen të mundshme sa herë që lypset sakrificë, forcë dhe guxim, trimëri, atë mund ta gjeni tek familjet e dëshmorëve, varrezat e dëshmorëve dhe varrezat e martirëve. Investimi në ushtri, blerja e pajisjeve ushtarake, mirëqenia e ushtrisë sonë është prioriteti ynë. Këto mundësojnë që të kemi një forcë të përgatitur të pajisur të trajnuar sipas standardeve të NATO-së. Ushtria e Kosovës po dëshmon çdo ditë që është e gatshme për misionet që na presin në të ardhmen së bashku me ushtritë e vendeve partnere”, tha ai.

Gjeneral brigade, Irfete Spahiu tha se këta 257 rekrutë për nëntë javë iu bënë ballë sfidave për të arritur në këtë ditë të rëndësishme.

Komandatja e Doktrinës tha se këta ushtarë të rinj që sot po i bashkohen ushtrisë së Kosovës treguan se janë të gatshëm për të shërbyer për vendin.

“Uniforma që ju sot e keni veshur mbartë virtytet më të larta ushtarake të historisë sonë, të gjakut, djersës dhe sakrificës të shumë heronjve , dëshmorëve, veteranëve të luftës së Kosovës, prandaj nderojeni atë në mënyrë më të mirë të mundshme. Organizimi i stërvitjes ushtarake bazë ndonëse është themel i njësisë sonë kishte sfidat e saj siç janë identifikimi i instruktorëve të duhur mbështetja logjistike, hapësira, infrastruktura mirëpo me angazhimin e të gjithëve në njësi por edhe më gjerë të FSK-së që të përfundojnë suksesshëm edhe këtë gjeneratë… Me aftësitë dhe angazhimin tuaj treguar edhe njëherë vërtetuat se ju jeni tani të gatshëm t’i shërbeni vendit me nder, krenari dhe integritet. Janë këto tri vlera dhe vlera të tjera që iu këshilloj të mëshiroheni përjetësisht me to”, theksoi ajo.

Në këtë ceremoni të betimit të ushtarëve të rinj të FSK-së mori pjesë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, zëvendëskomandanti i FSK-së, Enver Cikaqi, përfaqësues nga partnerë ndërkombëtar por edhe familjarë të shumtë.