Presidenti i SHBA-së, Joe Biden deklaroi se do të mbështesë plotësisht një proces tranzicioni në Siri që do të zhvillohet nën kujdesin e OKB-së dhe udhëheqjen e sirianëve, në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se presidenti amerikan Biden ka zhvilluar bisedë telefonike me mbretin Abdullah II të Jordanisë, ku kanë biseduar për zhvillimet e fundit në Siri dhe Rripin e Gazës.
Biden tha se do të mbështesë plotësisht një proces tranzicioni që do të zhvillohet nën kujdesin e OKB-së dhe nën udhëheqjen e sirianëve, në përputhje me rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Gjatë bisedës u diskutua edhe për masat që mund të ndërmerren për të parandaluar rishfaqjen e DEASH-it në vend dhe për sulmet ajrore të kryera nga SHBA-të një natë më parë.
Të dy liderët diskutuan për procesin e mundshëm të armëpushimit në Rripin e Gazës, përfshirë lirimin e pengjeve dhe rritjen e ndihmës humanitare për Gazën.