Biden thotë se nuk u beson shifrave palestineze për viktimat në Gaza

Presidenti i ShBA-së Joe Biden tha sot se ai është i sigurt se sulmet izraelite në Rripin e rrethuar të Gazës kanë rezultuar në viktima civile, por hodhi dyshime mbi numrin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, transmeton Anadolu.

“Unë nuk e kam idenë se palestinezët po thonë të vërtetën se sa njerëz janë vrarë. Jam i sigurt që janë vrarë të pafajshëm”, tha Biden në përgjigje të një pyetjeje në lidhje me numrin e të vdekurve civilë në më shumë se dy javë që kur Izraeli filloi bombardimin e enklavës bregdetare.

“Është çmimi i zhvillimit të një lufte”, tha ai.

“Unë mendoj se izraelitët duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm për të qenë të sigurt se janë duke u fokusuar në ndjekjen e njerëzve që po përhapin këtë luftë kundër Izraelit. Dhe është kundër interesave të tyre kur kjo nuk ndodh. Por unë nuk kam besim në numrin që palestinezët po përdorin”, shtoi ai.

Komentet vijnë një ditë pasi një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Bidenit bëri një vlerësim të ngjashëm të të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës për shkak të kontrollit të saj nga grupi i rezistencës palestineze, Hamas.