Bie trafikimi me qenie njerëzore

Trafikimi me qenie njerëzore është një shqetësim që po e përcjell vendin tash e sa vite. Shumë shpesh në media raportohet për viktima të trafikimit dhe arrestim të personave që mundësojnë këtë vepër penale.

Fatmirësisht, sipas të dhënave zyrtare të Policisë së Kosovës, pavarësisht që trafikimi vazhdon të bëhet me shtetas të Kosovës, numri i rasteve ka shënuar rënie.

Në të dhënat që posedon Indeksonline që përfshijnë periudhën 9-mujore të vitit 2017, këtë vit janë identifikuar 22 viktima të trafikimit.

Për veprën “trafikim me qenie njerëzore” janë arrestuar 31 persona, të cilët i shfrytëzonin viktimat në forma të ndryshme.

“Në 9 mujorin e 2017-tës, Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka ngritur kallëzim penal në prokuroritë përkatëse për 16 raste të trafikimit me qenie njerëzore. Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore vërehet një rënie e lehtë e rasteve të trafikimit me njerëz. Numri i personave të arrestuar për trafikim me qenie njerëzore është 31 ndërsa numri i viktimave zyrtarisht të identifikuara është 22 viktima”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Sipas zyrtarëve policor, njëra nga format më të shpeshta apo më të theksuara e shfrytëzimit të viktimave të trafikimit është ajo e shfrytëzimit seksual e në disa raste edhe kërkim lëmosha dhe puna e detyruar, ku më të prekurit janë personat e moshës së re (gjinia femërore), duke përfshirë edhe raste kur viktima janë edhe fëmijë.

Por, gjendja ishte ndryshe në vitin 2016, gjatë të cilit në fushën e luftimit të trafikimit me qenie njerëzore përgjatë një viti janë iniciuar 146 raste për hetim: 81 raste janë dorëzuar në Prokurori me kallëzim penal; 26 raste janë dorëzuar në Prokurori me raport të veçantë; 35 raste janë dorëzuar në Gjykatë-Divizioni për kundërvajtje, ndërsa 29 raste vazhdojnë të jenë nën hetime.

“Po ashtu në 2016-tën janë shkatërruar dy grupe kriminale të trafikimit me qenie njerëzore; janë arrestuar 202 persona të dyshuar prej të cilëve: 62 persona të dyshuar për vepër penale të ‘trafikimit me njerëz’; 47 persona të arrestuar për veprën penale ‘mundësim apo detyrim në prostitucion’; 18 persona të arrestuar për vepra penale ‘shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit’; 23 persona të arrestuar për vepra tjera që ndërlidhen me ‘trafikim me njerëz’, si dhe 52 persona janë arrestuar për ‘marrje me prostitucion’”, thuhet tutje në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Drejtoria për hetimin e trafikimit me njerëz ka bërë të ditur se ka ndërmarr masa të rëndësishme në identifikimin viktimave të trafikimit si dhe luftimin e kësaj dukurie, në këtë kontekst janë realizuar edhe një numër i operacioneve policore të cilat kanë pas për qellim arritjen e objektivave të parapara.

Sa i përket sulmeve seksuale, policia njofton se edhe numri i këtyre rasteve në katër vitet e fundit ka shënuar rënie.

Për dallim nga viti 2014 kur numri i sulmeve seksuale ishte 54, vitin e kaluar për 9 muaj janë raportuar 47 raste të tilla. /I