Sekretari i Shtetit në SHBA, Antony Blinken bëri thirrje që më shumë vende arabe ta njohin Izraelin. Ai zhvilloi një bisedë me katër homologë të tij, atë të Izraelit dhe tri vendeve arabe, të cilat vitin e kaluar arritën marrëveshje normalizimi të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara.
“Ne do të nxisim më shumë vende të ndjekin shembullin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Bahreinit dhe Marokut. Ne kemi si synim të zgjerojmë rrethin e diplomacisë paqësore”, tha Blinken në një takim virtual.
Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini, të ndjekur menjëherë më pas nga Maroku, vitin e kaluar normalizuan lidhjet me Izraelin. Ky ishte zhvillimi i parë i tillë nga shtetet arabe në dekadat e fundit.
Presidenti i atëhershëm amerikan, Donald Trump e konsideroi të ashtuquajturën “Marrëveshjet Abraham” si një fitore kryesore diplomatike.
Blinken e bëri të qartë se presidenti amerikan, Joe Biden, synon vazhdimin e kësaj politike.
“Kjo administratë do të vazhdojë të ndërtojë mbi përpjekjet e suksesshme të administratës së fundit”, tha ai.
Ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid, gjithashtu shfaqi shpresën se do të zgjerohen njohjen për Izraelin.
Ai tha se këtë muaj do të vizitojë Bahreinin që shënon edhe vizitën e parë të një ministri të Jashtëm izraelit.
“Ne gjithashtu duhet të përmendim faktin se ky klub i Marrëveshjeve Abraham është i hapur për anëtarët e rinj”, tha Lapid.
Kritikët e politikave të ish-presidentit Trump e kishin akuzuar atë se këto marrëveshjeve po shërbejnë si zëvendësim i përpjekjeve më kuptimplote për të avancuar të drejtat e palestinezëve.
Ministri i Jashtëm maroken, Nasser Bourita, tha se normalizimi nuk ishte zëvendësim për një marrëveshje me palestinezët.
“Maroku beson se nuk ka asnjë alternativë tjetër për një zgjidhje me dy shtete me një shtet të pavarur palestinez”, tha ai. /rel