Blinken: Izraeli do të vendosë se kur do të përfundojë masakra në Gaza

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u shpreh se Izraeli do të vendosë se kur do të përfundojë masakra e tij në Gaza, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate nga Departamenti amerikan i Shtetit, Blinken ka folur në programin e Jake Tapper në CNN dhe iu përgjigj pyetjes “A ju kanë shprehur gjë izraelitët se kur do të përfundojë kjo fazë? Sepse vdekjet e civilëve sa vijnë e rriten?”.

Lidhur me sulmet kundrejt Gazës “Ne po diskutojmë procesin me Izraelin duke përfshirë edhe mënyrën se si po zhvillohet procesi në fjalë”, tha Blinken, i cili shtoi se “Këto janë vendime që do t‘i marrë Izraeli”.

Ndërsa ndaj pyetjes së Tapper se “Nëse situata (në Gaza) vazhdon përgjatë muajve dhe jo ditëve ose javëve, a do të vazhdojë SHBA-ja të mbështesë Izraelin në mënyrën si po e mbështet tani?, sekretari Blinken tha se “Sërish, Izraeli duhet t‘i marrë këto vendime”.

Më tej Blinken u shpreh se “Ne nuk do të kemi paqe të qëndrueshme dhe siguri të qëndrueshme për Izraelin për sa kohë që nuk plotësohen kërkesat politike të palestinezëve”.

– Pretendimi se qeveria e SHBA-së i ka dhënë afat deri në fund të vitit Izraelit

Sipas Politico me qendër në SHBA, qeveria e presidentit amerikan Joe Biden i ka dhënë Izraelit afat që të përfundojë sulmet e tij kundër Gazës deri në fund të vitit.

Është bërë e ditur se këtë afat e ka theksuar edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, gjatë vizitës së tij në Izrael kur mbërriti në Tel Aviv më 30 nëntor.

Në anën tjetër, në lajmin e gazetës The Wall Street Journal (WSJ) thuhet se Blinken gjatë vizitës së tij bëri një vlerësim në kabinetin izraelit të luftës se “Sulmet duhet të përfundojnë brenda javëve dhe jo muajve”.