Blinken: Konflikti me Kinën “nuk është i pashmangshëm”

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, deklaroi se konflikti me Kinën “nuk është i pashmangshëm”, por sipas tij Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj duhet të mbështesin njëri-tjetrin për sistemin që bazohet në rregulla dhe i cili “është rrezikuar nga agresioni kinez”, raporton Anadou Agency (AA).

Blinken këto deklarata i bëri në Canberra para takimit me ministrat e jashtëm të aleancës Quad, e cila përbëhet nga Australia, India, Japonia dhe SHBA-ja.

I pyetur nga gazetarët, nëse është i pashmangshëm konflikti me Kinën në Indo-Paqësor, Blinken u përgjigj: “Asgjë nuk është e pashmangshme”. Kryediplomati amerikan shtoi se SHBA-ja dhe aleatët e saj duhet të mbështesin njëri-tjetrin për sistemin që bazohet në rregulla dhe i cili “është rrezikuar nga agresioni kinez”.

“Mendoj se ndajmë shqetësimet se Kina në vitet e fundit ka vepruar me agresivitet brenda dhe në rajon”, deklaroi Blinken.

Ai theksoi se aleanca Quad është bashkuar me “një vizion pozitiv të asaj që mund të sjellë e ardhmja” dhe “me premtimin për mbrojtjen e sistemit të bazuar në rregulla për të cilin ata kanë investuar shumë kohë dhe përpjekje”.

Ministria e Jashtme e Kinës, nga ana tjetër, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përdorimin e Quad për të detyruar vendet e tjera të pranojnë standardet e demokracisë amerikane. /aa