Blinken: Raportet për një marrëveshje bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit, të rreme

Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken hodhi poshtë të premtën raportet se Uashingtoni dhe Teherani ishin afër një marrëveshjeje për kufizimin e programit bërthamor të Iranit dhe lirimin e qytetarëve amerikanë të ndaluar në vend.

“Informacioni për një marrëveshje mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit nuk është i vërtetë”, tha sot sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

“Disa nga raportet për një marrëveshje për çështjet bërthamore apo për të burgosurit, nuk janë të sakta dhe të vërteta”, theksoi Blinken.

Ditët e fundit, “The New York Times” raportoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një përpjekje për të shmangur një krizë të mundshme bërthamore, po kërkojnë një marrëveshje joformale me Iranin.

Gjithashtu sipas raportit të gazetës amerikane, administrata e presidentit Joe Biden po negocion në prapaskenë me Iranin për të kufizuar programin bërthamor të Teheranit dhe për të liruar të burgosurit amerikanë. /atsh