BM nënshkruan marrëveshje sigurie me Suedinë dhe Finlandën – VIDEO

Kryeministri britanik Boris Johnson ka nënshkruar pakte sigurie me Suedinë dhe Finlandën që parashikojnë dërgimin e trupave britanike në vendet nordike në rast të një pushtimi rus.

Johnson tha se Britania e Madhe do të vinte në ndihmë të Finlandës, duke përfshirë mbështetjen ushtarake, në rast të një sulmi ndaj vendit, i cili ndan një kufi 1340 kilometra të gjatë me Rusinë.

I pyetur gjatë një konference për shtyp në Helsinki së bashku me presidentin finlandez Sauli Niinisto nëse do të kishte trupa britanike në territorin finlandez në rast të një konflikti të mundshëm me Rusinë, Johnson tha se “deklarata solemne është në vetvete e qartë. Në rast fatkeqësie, ose në rast të një sulmi ndaj secilit prej nesh, ne do t’i vijmë në ndihmë njëri-tjetrit, duke përfshirë edhe ndihmën ushtarake”.

Duke u takuar me kryeministren suedeze Magdalena Andersson të mërkuren, Johnson tha se Britania e Madhe nuk do të hezitojë të veprojë në rast të një sulmi ndaj vendit.

Andersson tha se ishte shumë e lumtur për nënshkrimin e marrëveshjes dypalëshe ndërsa Niinisto tha se deklarata do të thellonte me tej bashkëpunimin.

Suedia dhe Finlanda po shqyrtojnë perspektivën e anëtarësimit në NATO përballë agresionit ushtarak të vazhdueshëm të Putinit. /atsh