Borrell: Kriza afgane mund të shkaktojë zhvendosje të popullsisë

Pushtimi i Afganistanit nga talebanët ka të ngjarë të shkaktojë një eksod të rëndësishëm, por jo në të njëjtën shkallë me atë që bëri lufta civile siriane në 2015 dhe 2016, deklaroi kreu i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Askush nuk e di se sa i madh do të jetë fluksi i popullsisë. Jo aq i madh sa në luftën siriane, por do të varet nga evolucioni i situatës në vend”, tha Borrell në një debat në Parlamentin Evropian.

“Afganët do të jenë në lëvizje, nëse talebanët i lejojnë ata. Prandaj blloku duhet të angazhohet më shumë me fqinjët e Afganistanit, ku pritet shumica e refugjatëve”, shtoi ai.

Komisioni Evropian do të thërrasë një forum zhvendosjeje më vonë këtë muaj dhe dëshiron që vendet anëtare të BE-së të bëjnë premtime për të pranuar persona në rrezik, të cilët kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare. /atsh