Bosnjë-Hercegovinë – Varrosen edhe 9 viktima të tjera të masakrës në Ahmiçi – VIDEO

Në fshatin Ahmiçi, që ndodhet afër qytetit Vitez në Bosnjë-Hercegovinë, u varrosën edhe 9 civilë të tjerë boshnjakë që u vranë nga Këshilli Kroat i Mbrojtjes (HVO) më 16 prill 1993.

Amor Masovic, i cili deri vonë ishte kryetar i bordit të drejtorëve të Institutit për Persona të Zhdukur në Bosnjë-Hercegovinë, deklaroi se në gërmimet e kryera në vitin 1998 u gjetën eshtrat e 40 personave, përfshirë edhe këto viktima.

Behara Kermo, e cila varrosi dje dy vëllezërit e saj në ceremoninë mortore, deklaroi se kur u vranë, vëllezërit e saj ishin 14 dhe 16 vjeç.

“Krahas vëllezërve të mi janë vrarë edhe nëna, babai dhe motra ime, por eshtrat e tyre nuk janë gjetur ende. Janë vrarë gjithsej 14 persona, 9 prej të cilëve fëmijë të familjes sime”, tha Kermo.

Duke folur në 29 vjetorin e Masakrës së Ahmiçit më 16 prill, imami i fshatit Ahmiçi, Mahir Husic tha se trupat e 15 viktimave janë ende duke u kërkuar.

Ai rikujtoi se në fillim të muajit prill u identifikuan 13 viktima të Luftës së Bosnjës dhe tha: “9 prej këtyre viktimave janë në mesin e atyre që humbën jetën në Masakrën e Ahmiçit. 5 nga 9 persona i përkasin së njëjtës familje. Identiteti i këtyre personave është përcaktuar nga analiza e ADN-së dhe konfirmimi i identitetit të familjarëve të tyre.”

Duke thënë se eshtrat e viktimave të identifikuara janë gjetur në Mostar, Husic tha: “Duket se këta civilë të vrarë janë dërguar nga fshati Ahmiçi në Mostar, i cili është rreth 180 kilometra larg. Është e qartë se ky veprim është bërë për të fshehur atë që ka ndodhur.”

Gjatë luftës në Bosnjë, ushtarët kroatë bastisën fshatin Ahmiçi më 16 prill 1993, gjatë namazit të mëngjesit dhe masakruan 116 civilë boshnjakë, përfshi 32 gra dhe 11 fëmijë. Mes të vrarëve në Ahmiçi ishte edhe një foshnjë 3 muajsh, trupi i djegur i të cilit më pas u nxor nga furra.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY), në Hagë të Holandës, i cilësoi ngjarjet në Ahmiçi si “krim kundër njerëzimit” dhe dënoi komandantët dhe ushtarët e HVO-së të asaj kohe me 6 deri në 25 vjet burg. /trt