Bregu Perëndimor, një palestinez i vrarë dhe 10 të plagosur në përleshjet me forcat izraelite

Një palestinez u vra dhe 10 të tjerë u plagosën në përleshjet me forcat izraelite sot në disa qytete në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftoi Ministria palestineze e Shëndetësisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministria e identifikoi të ndjerin si Mahmoud Fayez Abu Ayhour, 27-vjeç, i cili u qëllua për vdekje nga forcat izraelite në qytetin Halhul.

Në një deklaratë, Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se ekipet e saj trajtuan shtatë të plagosur, një prej tyre në gjendje serioze, duke përfshirë Abu Ayhour, gjatë përleshjeve me ushtrinë izraelite në qytetin Halhul të Hebronit.

Ndërkohë, ushtria izraelite përdori plumba të vërtetë dhe gome, bomba gazi dhe bomba zhurmuese për të shpërndarë palestinezët gjatë përleshjeve në qendër të Halhulit, sipas dëshmitarëve okularë.

Dëshmitarët thanë se forcat izraelite bastisën qendrën e qytetit duke shkaktuar përleshje të dhunshme.

Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve WAFA tha se tre palestinezë u plagosën në qytetin e Jeninit të Bregut Perëndimor verior, gjatë përleshjeve me forcat izraelite të shoqëruar nga një buldozer.

Agjencia raportoi se ushtarë të armatosur rëndë hapën zjarr ndaj të rinjve vendas, duke plagosur njërin në këmbë.

Gjithashtu, në Bregun Perëndimor verior, WAFA raportoi se një i ri u qëllua dhe u plagos kur forcat izraelite sulmuan lagjen Al-Makhfieh të Nablusit.

Ushtria izraelite shkatërroi gjithashtu një ndërtesë të përbërë nga katër apartamente, në veriperëndim të Betlehemit.

Walid Zarina, pronari i ndërtesës së shkatërruar, tha për AA se herët në mëngjes forcat izraelite me buldozerë sulmuan lagjen Bir Ouna dhe shkatërruan ndërtesën e tij me pretekstin se ajo ishte ndërtuar pa leje.

Forcat izraelite përmendin mungesën e lejeve të ndërtimit ndërsa shkatërrojnë shtëpitë palestineze, veçanërisht në zonën C në Bregun Perëndimor të pushtuar, e cila përbën rreth 60 për qind të hapësirës së saj.

Sipas Marrëveshjes së Oslos të vitit 1995 midis Izraelit dhe Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO), Bregu Perëndimor, duke përfshirë Kudsin Lindor, u nda në tre pjesë – Zona A, B dhe C.

Zona C është nën kontrollin administrativ dhe të sigurisë të Izraelit derisa të arrihet një marrëveshje për statusin përfundimtar me palestinezët. /aa