Mjekët në Britani të Madhe filluan sot grevë pesë-ditore për shkak të mosmarrëveshjes mbi pagat dhe kushtet e punës, mes paralajmërimit të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor (NHS) të vendit për rritjen e rasteve të gripit, transmeton Anadolu.
Në një veprim të fundit mbi pagat, mijëra mjekë rezidentë filluan tjetër grevë pasi Shoqata Mjekësore Britanike (BMA) e quan “dështimin e vazhdueshëm të qeverisë për të bërë një ofertë të besueshme për vende pune ose paga”. Kjo ndodhi pasi mjekët refuzuan një ofertë të rishikuar së fundmi të paraqitur nga qeveria, tha BMA në një deklaratë të hënën.
Departamenti i Shëndetësisë ofroi masa që përfshinin rritjen e numrit të vendeve të reja të trajnimit të specializuar nga 1.000 në 4.000 gjatë tre viteve të ardhshme si dhe një premtim për të sjellë legjislacionin e emergjencës në vitin e ri për t’i dhënë përparësi të diplomuarve të mjekësisë në Mbretërinë e Bashkuar për këto poste.
Një total prej 83 për qind e mjekëve, anëtarë të BMA-së, e refuzuan ofertën dhe votuan për të vazhduar grevën e planifikuar. Sekretari i Shëndetësisë, Wes Streeting tha më parë se një kërkesë për rritje pagash prej 26 për qind gjatë viteve të ardhshme, përveç rritjes së pagave prej 28.9 për qind të vitit të kaluar, është “kërkesë krejtësisht joreale”.
Javën e kaluar, NHS paralajmëroi se spitalet në Britani po përballen me “skenarin më të keq” në dhjetor mes rritjes së “super gripit”, duke thënë se mesatarisht 2.660 pacientë në ditë janë në një shtrat spitalor me grip në javën e parë të dhjetorit, më e larta ndonjëherë për këtë kohë të vitit dhe 55 për qind më shumë se javën e kaluar.

