Britania do të dërgojë avionë dhe anije të Marinës Mbretërore në Mesdheun Lindor “për të mbështetur Izraelin”

Britania do të dërgojë patrullë, avionë vëzhgimi dhe dy anije të Marinës Mbretërore në Mesdheun Lindor “për të mbështetur Izraelin”, njoftoi Zyra e Kryeministrit, transmeton Anadolu.

“Kryeministri (Rishi Sunak) ka urdhëruar që mjetet ushtarake të Mbretërisë së Bashkuar të dislokohen në Mesdheun Lindor për të mbështetur Izraelin, për të përforcuar stabilitetin rajonal dhe për të parandaluar përshkallëzimin”, thuhet në deklaratën zyrtare.

Deklarata shton se avionët e patrullimit dhe mbikëqyrjes detare do të fillojnë të fluturojnë në rajon që nga e premtja “për të gjurmuar kërcënimet ndaj stabilitetit rajonal, si transferimi i armëve për grupet terroriste”.

“Ndërkohë, grupi i punës i Marinës Mbretërore do të zhvendoset në Mesdheun Lindor javën e ardhshme si një masë emergjente për të mbështetur përpjekjet humanitare”, thuhet në deklaratë.

“Duhet të sigurohemi pa dyshim që llojet e skenave të tmerrshme që kemi parë këtë javë të mos përsëriten. Krahas aleatëve tanë, vendosja e ushtrisë sonë të klasës botërore do të mbështesë përpjekjet për të siguruar stabilitetin rajonal dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm”, ka thënë kryeministri Sunak.