Britania do të fillojë dhënien e dozës së tretë të vaksinës kundër COVID-19 këtë muaj

Sajid Javid

Ministri britanik i Shëndetësisë, Sajid Javid, tha se është i sigurt se doza e tretë e vaksinës kundër koronavirusit (COVID-19) do të fillojë të administrohet në vend këtë muaj, por shtoi se janë duke pritur vendimin rekomandues para dhënies së kësaj doze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Javid tha për Sky News se njoftimi për dozën e tretë të vaksinës COVID-19 do të bëhet “në ditët e ardhshme”.

Duke theksuar se për zbatimin e dozës së tretë kërkohet vendim nga Komiteti i Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunitetin (JCVI), Javid tha: “Ne jemi duke pritur rekomandimin përfundimtar nga JCVI brenda pak ditësh se kush dhe kur do të marrë dozën e tretë të vaksinës”.

Ai tha se presin që rekomandimi të përfshijë informacione nëse doza e tretë duhet të jetë e ndryshme ose e njëjtë me vaksinat aktuale dhe shtoi se i sigurt se kjo dozë do të fillojë të administrohet këtë muaj.

Javid po po ashtu tha se pritet edhe vendimi i institucionit për të vaksinuar fëmijët 12-15 vjeç.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, 88,8 për qind e popullsisë 16 vjeç e më lart në Britani kanë marrë dozën e parë, kurse 80,1 për qind dozën e dytë.

Në Britani numri ditor i viktimave ka filluar të kalojnë në mbi 200. Për këtë arsye, synohet të sigurohet mbrojtje më e fortë kundër COVID-19 me dozën e tretë të vaksinave para dimrit. /aa