Britania e Madhe ka dënuar atë që e cilësoi si “përshkallëzim të rrezikshëm” nga Huthët e Jemenit, duke paralajmëruar se ofensiva e tyre e fundit ka intensifikuar luftimet, ka shtuar vuajtjet e civilëve dhe ka larguar më tej perspektivën për paqe.
Duke folur në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ambasadorja Kate Foster, zëvendëspërfaqësuesja e përhershme e Britanisë së Madhe në OKB, tha se sulmet e Huthëve ndaj anijeve, civilëve dhe infrastrukturës kritike po kërcënojnë sigurinë rajonale, transportin detar dhe sigurinë globale të energjisë.
“Mbretëria e Bashkuar qëndron përkrah qeverisë së Jemenit dhe Mbretërisë së Arabisë Saudite përballë këtyre sulmeve”, deklaroi Foster, duke shprehur ngushëllime për sulmet ndaj aeroportit të Abhas dhe Aeroportit Ndërkombëtar King Khalid.
Ajo shtoi se Londra riafirmon të drejtën e Jemenit dhe Arabisë Saudite për të mbrojtur sigurinë dhe sovranitetin e tyre, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
Sipas Fosterit, që nga intensifikimi i luftimeve në shtator, 479 civilë janë vrarë ose plagosur, ndërsa më shumë se 200 mijë persona janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
Ajo bëri gjithashtu thirrje për zbatim më të rreptë të regjimit të sanksioneve të OKB-së, duke theksuar se armët dhe materialet me përdorim të dyfishtë vazhdojnë të mbërrijnë në zonat e kontrolluara nga Huthët, në kundërshtim me vendimet e Këshillit të Sigurimit. /mesazhi


