Në kujtimet e tij, Çarls Darvini ndeshet me një problem që teoria e tij e evolucionit nuk mund ta shpjegonte: prania e bukurisë së tepërt dhe e pajustifikueshme funksionalisht në natyrë.
Ai shprehet se mbetet i habitur që kaq shumë bukuri është krijuar për një qëllim shumë të vogël, duke vënë në dyshim shpjegimin evolucionar të ngushtë, sipas të cilit çdo tipar apo sjellje duhet të shërbejë mbijetesës ose riprodhimit.
Shumë fenomene në botën e gjallë si ritualet komplekse të çiftëzimit, ngjyrat e ndritshme apo format estetike të panevojshme për funksion biologjik – sfidonin pritshmëritë darviniane. Kjo “tepëri estetike” ngjalli tek ai një boshllëk shpjegues që mbeti i pambushur brenda kornizës materialiste.
Një shqetësim paralel shfaqet edhe te Sigmund Frojdi, i cili thekson paaftësinë e shkencës për të shpjeguar natyrën dhe origjinën e bukurisë. Ai argumenton se bukuria nuk ka përdorim të qartë dhe nuk duket e domosdoshme për qëllimet praktike të civilizimit, megjithatë ajo mbetet e pazëvendësueshme dhe e pashpjegueshme nga shkenca.
Darvini, Marksi dhe Frojdi konsiderohen si themelues të paradigmës moderne perëndimore, e cila e sheh realitetin fizik si një sistem të mbyllur, pa nevojën e shpjegimeve metafizike. Megjithatë, fenomeni i bukurisë paraqet një “fije çarje” brenda kësaj paradigme, duke zbuluar kufijtë e shpjegimit materialist.
Për fat të keq shumë besimtarë sot kanë humbur aftësinë për të kontempluar bukurinë e kozmosit dhe për ta lidhur atë me Krijuesin. Në traditën islame, meditimi mbi krijimin dhe atribuimi i bukurisë te “i Bukuri” (Allahu) është pjesë themelore e imanit. Kurani vlerëson ata që reflektojnë mbi krijimin e qiejve dhe tokës si një akt që rrit besimin.
Dijetarë si Neferriu theksojnë se shikimi i realitetit përmes Emrave të Zotit çon drejt kuptimit se ekzistenca tërësisht të drejton te Ai.
Bukuria kozmike, e pashpjegueshme brenda kufijve të teorive materialiste, paraqitet si një tregues i drejtpërdrejtë i pranisë dhe përsosmërisë hyjnore.
Hoxhë Halil Avdulli









