Bullgaria e Maqedonia e Veriut përafrojnë qëndrimet

Kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov, ka vizituar Maqedoninë e Veriut në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve të Ballkanit pasi Bullgaria bllokoi përpjekjen e Shkupit zyrtar për përshpejtimin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.

Petkovi ka vizituar Shkupin vetëm dy ditë pasi Parlamenti maqedonas konfirmoi kabinetin e ri, të prirë prej socialdemokratit Dimitar Kovaçevski. Në konferencën pas takimit ndërmjet dy liderëve, Kovaçevski ka thënë se Bullgaria është pajtuar që ta quajë shtetin fqinj “Maqedoni e Veriut” në vend të versionit të gjatë zyrtar, Republika e Maqedonisë Veriore. Kjo formë do të përdoret gjatë komunikimeve ndërmjet dy vendeve.

Deri tani, Sofja pretendonte se emri më i shkurtër përfshinte aspirata territoriale në kurriz të Bullgarisë. Dy kryeministrat kanë theksuar “qëllimin e përbashkët për krijimin e një të ardhmeje më të mirë” për popujt e dy vendeve.

Petkovi ka shtuar se një linjë e re ajrore ndërmjet Shkupit dhe Sofjes do të ketë operacionale brenda dy muajve të ardhshëm.

Përplasja ndërmjet dy fqinjëve u spikat më 2020 pasi Bullgaria, anëtare e BE-së, përdori veton e fillimit të bisedimeve zyrtare të anëtarësimit të Maqedonisë Veriore. Bullgaria argumentoi se Shkupi kishte dështuar të respektonte pjesë të marrëveshjes së miqësisë më 2017, sidomos ato lidhur me historinë dhe gjuhën.

“Sot kemi pasur një bisedë të mirë dhe miqësore. Fqinjësia e mirë ndërmjet dy vendeve ka qenë prioriteti më i lartë”, ka theksuar Petkov. “Jam i lumtur të them se nga tani fqinjësia e mirë do të matet me hapa dhe me rezultate të vërteta”.

Edhe Kovaçevski ka konfirmuar se Petkovi ka pranuar përdorimin e emrit Maqedoni e Veriut në vend të emrit zyrtar. /koha