Burkina Faso, junta ushtarake dëbon ambasadorin francez

Junta ushtarake e Burkina Fasos ka dëbuar ambasadorin francez në vendin e Afrikës Perëndimore, mes përkeqësimit të marrëdhënieve dypalëshe, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ambasadorit Luc Hallade iu kërkua të largohet nga vendi”, tha për AA një burim në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Burkina Fasos, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.

“Kemi kërkuar zëvendësimin e tij”, theksoi burimi, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Ambasada franceze në kryeqytetin Ouagadougou nuk pranoi të komentojë lidhur me çështjen.

Dëbimi i ambasadorit Hallade vjen disa ditë pasi rezidentja e OKB-së dhe koordinatorja humanitare në Burkina Faso, Barbara Manzi, u dëbua gjithashtu në muajin dhjetor dhe u shpall person i padëshiruar.

Po ashtu në muajin dhjetor, junta ushtarake dëboi dy shtetas francezë të akuzuar për spiunazh.

Ndjenjat anti-franceze në Burkina Faso u rritën muajin e kaluar. Ambasadora franceze në Ouagadougou u sulmua dy herë nga protestuesit që kërkonin largimin e Francës nga Burkina Faso.

Vendi afrikan pa dalje në det ishte dëshmitar i dy grusht shteteve vitin e kaluar.

Në janar të vitit 2022, ushtria rrëzoi presidentin e zgjedhur, Roch Marc Kabore. Mës pasigurisë në rritje, një grusht shteti i dytë u organizua në muajin shtator të vitit 2022 nga ushtarë të udhëhequr nga kapiteni Ibrahim Traore, i cili rrëzoi nënkolonelin Paul-Henri Sandaogo Damiba.