Byreçkat e mbushura me ullinj dhe gjizë janë një recetë shumë e lehtë dhe e shpejtë për t’u përgatitur.
Kjo është një recetë ideale që do t’ju mbushë shtëpinë me shije dhe aromë të mirë.
Për ta përgatitur nuk ka nevojë të përdorni asnjë lloj fryrësi buke ndaj dhe koha e përgatitjes së saj do të jetë shumë e shkurtër.
Byreçkat mund të zgjidhni t’i mbushni me çfarë të dëshironi, por AgroWeb.org sot ju sugjeron mbushjen me gjizë dhe copa ullinjsh.
Më poshtë AgroWeb.org ju shpjegon hap pas hapi se si mund t’a përgatisni këtë recetë të mrekullueshme.
Përbërësit
- 220 ml pana për gatim
- 50 ml qumësht
- 300 gr miell
- 1 lugë kafe kripë
- 100 gr gjizë
- Disa kokrra ullinj pa bërthamë
- Vaj për skuqje
Përgatitja
Në një enë të thellë hidhni panën, qumështin dhe kripën duke i përzier bashkë derisa kripa të shkrihet.
Filloni të shtoni tek ena pak nga pak edhe miellin duke e trazuar me kujdes në mënyrë që të mos krijojë kokrriza.
Kur të mbaroni të gjithë sasinë e miellit dhe masa e krijuar të ketë marrë formën e brumit hiqeni nga ena dhe filloni t’a punoni atë me duar.
Sigurohuni që të spërkasni pak miell teksa punoni brumin në mënyrë që ai të mos ngjisë.
Kur të shihni që brumi është gati me anë të një petësi shtroni një pëtë të madhe me trashësi 1 cm.
Më pas me një gotë apo filxhan me diametër 8 cm filloni të prisni tek brumi forma rrethore.
Ndërkohë mund të përgatisni edhe mbushjen duke përzier gjizën me ullinjtë e prerë në kubikë të vegjël.
Në rrathët e brumit vendosni një nga një me anë të një luge të vogël mbushjen me gjizë.
Më pas lyeni me pak qumësht buzët e brumit dhe palosini në formën e një gjysmëhëne.
Kur te jeni duke i mbyllur byreçkat përdorni një pirun për të puthitur mirë brumin, por pa e çarë.
Ngrohni vajin në një tigan të thellë dhe filloni të skuqni byreçkat.
Kthejini herë pas here duke bërë kujdes të mos digjen dhe lërini në zjarr derisa të shikoni që kanë marrë një pamje të artë.
Pas skuqjes vendosini në një letër thithëse në mënyrë që të hiqni vajin e tepërt.
Sipas dëshirës mund të shtoni edhe pak kripë sipër dhe t’i konsumoni ato të ngrohta./