Cakaj bën thirrje: Kësaj radhe duhet vetëdije kombëtare, të mbështetet lista e Luginës së Bashkuar

Ministri në detyrë i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë se ruajtja e frymës së bashkëpunimit ndër-partiak e unitetit të brendshëm politik është e rëndësisë së patjetërsueshme në Luginën e Preshevës dhe jo vetëm.

“Kjo, mes tjerash, përfshin edhe shmangien e çdo pengese, kërcënimi, apo fushate të pavërtetash nga partitë që kanë mendim ndryshe për këtë ndërmarrje, vetëm e vetëm në të mirë të shqiptarëve. Pavarësisht se ekzistojnë shumë parti shqiptare, atje duhet të ketë vetëm një faktor politik shqiptar: me platformë të unifikuar në shërbim të mbrojtjes e lartësimit të të drejtave të tyre kombëtare”, është shprehur Cakaj, transmeton Klan Kosova.

“Ndaj, ju lutem: mbështetja masive dhe e fuqishme e listës së Luginës së Bashkuar është skajshmërisht e rëndësishme nga të gjithë pa asnjë dallim. Kësaj rradhe, sjellja e përgjegjshme politike e vetëdija e lartë kombëtare duhet të mbizotërojnë llogaritë e ngushta partiake”.

“Asgjë nuk përfundon me këtë ndërmarrje: mbështetja e kësaj liste është thjesht pikëfillimi i një pune të përbashkët sistematike, për t’i trajtuar të gjitha çështjet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës një e nga një! Ndaj, kësaj rradhe me fort përgjegjësi politike e vetëdije kombëtare: të gjithë në mbështetje të listës së Luginës së Bashkuar”.