“Çdo orvatje për ta delegjitimuar vendimin e Turqisë mbi Ajasofjan është e kotë dhe e paarsyeshme”

Një grup shoqatash civile që veprojnë dhe funksionojnë në Shqipëri, përmes një deklarate të përbashkët kanë shprehur mbështetje për hapjen e Ajasofjas përsëri si xhami, transmeton Anadolu Agency (AA).

Deklarata e përbashkët e 11 shoqatave civile që mban nënshkrimet e përfaqësuesve të tyre, thekson se ata e çmojnë rifillimin e funksionimit të Ajasofjas si xhami, si një çuarje në vend të një të drejte të mohuar për dekada.

“Çdo orvatje për ta delegjitimuar vendimin e shtetit turk është e kotë dhe e paarsyeshme dhe politizimi i kësaj çështjeje është i panevojshëm”, thuhet në deklaratë.

Siç thonë shoqatat civile në deklaratë, në vendimin e Turqisë për hapjen e Ajasofjas si xhami ata nuk shohin asnjë rrezik që mund t’i kanoset kësaj godine si një trashëgimi botërore, “përkundrazi ai do t’ua shtojë më tepër përgjegjësinë autoriteteve turke për ta mirëmbajtur atë”.

“Vendimi i marrë për rifillimin e funksionimit të Ajasofjas si xhami është një e drejtë e pamohueshme e këtyre autoriteteve, në vijim të vendimit të Gjykatës së Lartë Administrative, një organ i pavarur i sistemit të drejtësisë. Turqia është vend sovran dhe sovranitetin e shpreh edhe nëpërmjet këtyre akteve plotësisht legjitime”, thuhet në deklaratë.

Shoqatat civile theksojnë se kundërshtuesit e rikthimit të Ajasofjas në xhami duhet të kujtojnë më parë se çfarë ka ndodhur me objektet e kultit islam gjatë historisë, duke përmendur shembujt e Kordovës, Granadës dhe të territoreve të Perandorisë Osmane pas luftërave ballkanike.

Deklarata e përbashkët është nënshkruar dhe lëshuar nga Fondacioni “ALSAR”, Forumi Musliman i Shqipërisë, Shoqata “Istanbul”, Shoqata “Tirana”, Organizata “Bashkimi i Rinisë Islame Shqiptare”, Shoqata “Romët për integrim”, Shoqata kulturore shqiptaro-turke “Hasan Tahsini”, Shoqata “Për integrimin e pensionistëve të Shqipërisë”, Shoqata “Shpresa për jetën”, Shoqata “AL-HIKMA” dhe Shoqata“Uniteti Kombëtar i Pensionistëve të Pleqërisë“, të gjitha shoqata civile dhe organizata joqeveritare që veprojnë në Shqipëri.

Kujtojmë se Gjykata e Lartë Administrative e Turqisë anuloi një dekret qeveritar të vitit 1934 dhe i hapi rrugën funksionimit të Ajasofjas si xhami. Dekreti i vitit 1934 e ktheu Ajasofjan vetëm në muze, vendim i cili atëkohë u përjetua me dhimbje të thellë nga besimtarët, si i panevojshëm dhe ekstrem.

Në një dalje televizive një orë pas vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë Administrative të Turqisë, presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan njoftoi se Ajasofja do të hapet zyrtarisht për adhurim të premten e 24 korrikut me faljen e namazit të xhumasë.

Ndërtimi

Historia e Ajasofjas si një objekt kulti është e gjatë, me dëmtime, shkatërrime dhe rindërtime. Ndërtimi i saj nisi nga Konstantini I, u çua në fund nga Konstantini II dhe në vitin 360 u hap për adhurim. Justiniani I e ringriti atë pas shkatërrimit në vitin 537 në formën që ne njohim sot.

Ajo u kthye në xhami pas 916 vitesh, si simbol i çlirimit të Stambollit nga Mehmeti II, sulltani i shtatë i Perandorisë Osmane. Ngadhënjimtari nuk vuri këmbë në të pa i siguruar pronësinë. Të premten e parë pas çlirimit, më 1 qershor 1453, ai e fali xhumanë te Shën Sofja. Të gjithë sulltanët pas tij u kujdesën për Shën Sofjen, shtuan dhe mirëmbajtën strukturat e saj. Ndërtimi i minareve nisi me të, Bajazidi II ndërtoi një tjetër dhe Selimi II mbaroi dy të fundit. Në këtë pikëpamje, ta shohësh atë dhe si një godinë osmane është krejt e arsyeshme.

Ky rrëfim i shkurtër i jetës së Ajasofjas, e cila për pesë shekuj me radhë ka shërbyer si objekt kulti i fesë islame, vlen për të kuptuar se sa e rëndësishme ishte ajo për osmanët dhe se ç’peshë bart ajo për popullin turk, si dhe për të gjithë botën islame.