Çështja globale e mungesës së mallrave përparësi e FMN-së dhe G20-s

Ekonomia globale prej muajsh po përballet me bllokimet në zinxhirët e furnizimit, që po nxisin inflacionin dhe kërcënojnë rritjen, një çështje në zemër të Fondi Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe takimeve të ministrave të Financave të G20-s dhe G7-s.

Problemet e furnizimit, të shkaktuara nga rritja e kërkesës për transport logjistik me rimëkëmbjen pas pandemisë, e kombinuar me mungesën e fuqisë punëtore, po ndikojnë në shumë vende të botës dhe kanë bërë që FMN të rishikojë rënien e parashikimeve të rritjes për SHBA-në, Kinën, Gjermaninë dhe Britaninë e Madhe.

“Frenimet në lëndët e para, gjysmëpërçuesit dhe vështirësitë e rekrutimit në tregun e punës do të rëndojnë në dinamikën e rritjes, në muajt dhe vitet në vazhdim”, tha ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, duke theksuar se kjo temë ishte një nga shqetësimet kryesore të takimeve këtë javë në kryeqytetin amerikan.

“Përgjigja qëndron në një fjalë: pavarësi”, shtoi ai, duke iu referuar varësisë aktuale të industrive perëndimore nga Azia.

Kancelari britanik i Thesarit, Rishi Sunak pritet të avokojë për një “koordinim” më të mirë për t’i bërë zinxhirët e furnizimit “më elastikë”.

“Vlerësimet tona sugjerojnë se 8,5 për qind e transportit global të kontejnerëve është i bllokuar në ose rreth porteve, dyfishi i atij të janarit”, shpjegoi David Malpass, president i Bankës Botërore.

“Këto ndërprerje rrisin koston e mallrave si dhe kostot e transportit dhe disa nga këto rritje nuk do të jenë kalimtare”, vlerësoi Malpass.

Nga ana e saj, SHBA-ja ka vendosur të marrë masa konkrete për të zvogëluar bllokimet në portet e vendit. /atsh