Chelsea lë prapa humbjen nga Man City, triumfon në udhëtimin në Suedi

Chelsea duket se e ka harruar humbjen e turpshme që pësoi nga Manchester City, në fundjavë, në kuadër të Premierligës. ‘Blutë’ e Londrës janë kthyer për të fituar në kuadër të Ligës së Evropës, duke triumfuar ndaj Malmos. Chelsea fitoi në udhëtim me rezultatin 1:2, duke i lehtësuar vetës gjërat për këtë fazë të garave, shkruan lajmi.net. Golin e parë në këtë takim e realizoi mesfushori Ross Barkley, kur po luhej minuta e 30’ e takimit. Sulmuesi francez, Olivier Giroud u përkujdes që të dyfishonte epërsinë e anglezëve, duke shënuar në minutën e 58’. 10 minuta para fundit, vendasit arritën që të ngushtojnë epërsinë me anë të Anders Christiansen. Kjo fitore do të kthejë motivin tek kampi i Chelsea, të cilët nuk është se kanë kaluar në formë aq të mirë javëve të fundit.