Cilat shtete nënshkruan marrëveshjet më të mëdha me Izraelin në vitin 2025

Izraeli nënshkroi në vitin 2025 një numër rekord marrëveshjesh shumë-miliardëshe në sektorët e energjisë, teknologjisë dhe industrisë ushtarake, duke forcuar lidhjet ekonomike me disa prej partnerëve të tij kryesorë tregtarë.

Marrëveshja më e madhe u miratua në dhjetor, kur kryeministri Benjamin Netanyahu dha dritën jeshile për kontratën më të madhe energjetike në historinë e Izraelit. Sipas saj, Egjipti do të furnizohet me gaz natyror me vlerë deri në 35 miliardë dollarë nga fusha Leviathan, për periudhën 2026–2040. Kjo marrëveshje thellon varësinë energjetike të Egjiptit nga Izraeli, në një kohë kur vendi po përballet me krizë energjetike. Autoritetet egjiptiane e kanë cilësuar kontratën si “thjesht komerciale”, duke mohuar dimensione politike, pavarësisht zemërimit publik për luftën në Gaza.

Përveç energjisë, Izraeli ka përfituar ndjeshëm edhe nga marrëveshjet në teknologji dhe mbrojtje, duke shitur pajisje ushtarake dhe sisteme mbikëqyrjeje të promovuara si të “testuara në luftë”.

Marrëveshjet më të mëdha publike të vitit 2025

– 35 miliardë dollarë me Egjiptin: Marrëveshje afatgjatë për eksportin e rreth 130 miliardë metrave kub gaz natyror nga fusha Leviathan, më e madhja e nënshkruar nga Izraeli në vitin 2025.
– 32 miliardë dollarë me Alphabet (Google): Kompania mëmë e Google bleu firmën izraelite të sigurisë kibernetike Wiz. Marrëveshja pritet të marrë vendimin përfundimtar rregullator në fillim të vitit 2026.
– 25 miliardë dollarë me Palo Alto Networks: Blerja e kompanisë izraelite CyberArk, që pritet të finalizohet në gjysmën e dytë të vitit 2026.
– 6.5 miliardë dollarë me Gjermaninë: Zgjerimi i kontratës për sistemin raketor Arrow 3, duke e bërë atë eksportin më të madh ushtarak në historinë e Izraelit.
– 3 miliardë dollarë me Xero (Zelandë e Re)*: Blerja e kompanisë izraelite fintech Melio, marrëveshja më e madhe e jashtme në historinë e Zelandës së Re.
– 2.6 miliardë dollarë me Munich Re: Gjiganti gjerman i sigurimeve bleu kompaninë izraelite Next Insurance.
– 1.5 miliardë dollarë me Nvidia: Investim për ndërtimin e qendrës më të madhe të të dhënave dhe inteligjencës artificiale të Nvidia-s jashtë SHBA-së, pranë Haifës.

Partnerët kryesorë tregtarë të Izraelit

Të dhënat tregtare tregojnë se marrëdhëniet ekonomike të Izraelit janë të përqendruara tek një numër i vogël vendesh. Gjatë periudhës 2019–2023, partnerët kryesorë ishin:
– Shtetet e Bashkuara (18.9% e tregtisë totale),
– Kina (11.6%),
– Gjermania (5.5%),
– Turqia (4.8%),
– Zvicra dhe Holanda (nga 3.1% secila).

Importet dhe eksportet kryesore

Në vitin 2024, Izraeli realizoi rreth 91.5 miliardë dollarë importe dhe 61.7 miliardë dollarë eksporte. Importet kryesore përfshijnë pajisje elektronike dhe mekanike, automjete, produkte kimike dhe minerale. Ndërsa eksportet dominohen nga elektronika, farmaceutika, diamantet e përpunuara, pajisjet mjekësore dhe produktet minerale.

Sektori i elektronikës dhe teknologjisë mbetet shtylla kryesore e ekonomisë izraelite, i ndjekur nga industria farmaceutike dhe tregtia globale e diamantëve, duke e pozicionuar Izraelin si një nga aktorët më të rëndësishëm në këto fusha në nivel botëror. /mesazhi