Danimarkë – Spitalet përballë rrezikut të tejmbushjes për shkak të COVID-19

Autoritetet shëndetësore daneze shprehën shqetësimin për rrezikun e tejmbushjes së sistemit spitalor përballë rikthimit të mprehtë të rasteve COVID-19.

“Me rrezikun e COVID-19, gripit dhe sëmundjeve të tjera infektive, ne rrezikojmë të mbingarkojmë spitalet”, tha në një deklaratë drejtori i Agjencisë Kombëtare të Shëndetit, Søren Brostrøm.

“Tashmë po shohim që spitalet në të gjithë vendin janë shumë të ngarkuar dhe personeli është i pakët. Megjithatë, ne nuk kemi qëndrueshmërinë që kishim në të kaluarën, sepse ka kohë që jemi nën presion”, shtoi ai.

Dje, për të dytën ditë radhazi, më shumë se 2 000 raste të reja u raportuan në mbretërinë nordike, ku nuk ka më kufizime në nivel kombëtar prej një muaji tashmë.

Pionier i certifikatës shëndetësore, vendi me 5,8 milionë banorë, e nxorri atë nga qarkullimi më 10 shtator, në një kohë kur numri i rasteve të reja ishte katër herë më i ulët se shifrat e sotme.

Ministria e Shëndetësisë tani po shqyrton riklasifikimin e sëmundjes si “kërcënuese për shoqërinë”, gjë që nuk kishte ndodhur që nga shtatori.

Në Danimarkë, 85,9 për qind e popullsisë mbi 12 vjeç kanë marrë dy doza të vaksinës kundër COVID-19. /atsh