DAVUTOGLLU NË KOSOVË, PROMOVON LIBRIN “QYTETE DHE QYTETËRIME” (VIDEO)

Në kuadër të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, Prishtina priti sot ish kryeministrin e Turqisë, Ahmet Davutogllu, i cili me këtë rast promovoi librin e tij, të botuar edhe në gjuhën shqipe, “Qytete dhe qytetërime”. Ky eveniment u organiza nga Shtëpia Botuese Logos A dhe Instituti i Albanlogjisë së Kosovës. Davutogllu, në fjalën e tij, duke e elaboruar tematikën e librit në fjalë, ai foli për qytetet e Ballkanit, për të cilat tha se kanë ngjajshmëri njëri me tjetrën sa i përket traditave dhe frymës së tyre.

“Pa lexuar dhe pa shkruar nuk mund të jetojmë ne. Ky është një lloj rehabilitimi. Pse ju referova qyteteve, sepse historia bazohet në qytete. Pa e kuptuar fatin e qyteteve nuk mund të kuptojmë as njerëzit dhe as popujt. Qytetet në kuptimin e vërtetë janë vende të rendit, bashkëveprime. Jam përpjekur të tregoj se si qytetet kanë vënë në lëvizje historinë, jo si objekt por si subjekt”, deklaroi ish kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutogllu.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, i pranishëm në këtë eveniment, tha se Turqia dhe Kosova janë vende fqinje, duke theksuar kontributin e shtetit turk në njohjen ndërkombëtare të Kosovës.

“Nëse Republika e Kosovës deri më tani është njohur nga 116 shtete, në njohjen ndërkombëtare të Kosovës, në vendosjen e Kosovës në hartën politike të botës, rol të madh ka pasur Turqia, për të cilën unë e di, por edhe presidenti Thaçi në atë kohë si kryeministër dhe shumë të tjerë e dinë se cilat shtete në mënyrë konkrete. Kontributi atëbotë i kryeministrit Davutogllu, i presidentit Erdogan, i ministrit të Jashtëm, ka qenë konkret për ta njohur Republikën e Kosovës”, tha zv/kryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ndërkohë, kryeredaktori i Shtëpisë Botuese Logos A, Husamedin Abazi, tha se fakti që në këtë përvjetor po flitet për libër, kjo ngjall shpresa për ardhmërinë.

“Ky tubim më ngjall se përkundër sfidave, megjithatë ka shpresë për të ardhmen, deri sa jemi mbledhur këtu. Ky libër shqiptarit tonë i flet zëshëm për rëndësinë që ka hapësira urbane, duhet të ndërgjegjësohemi për qytetërimin tonë”, deklaroi kryeredaktori i Shtëpisë Botuese “Logos-A”, Husamedin Abazi.

Ish-kryeministri i Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoğlu, foli për lidhshmërinë e popullit turk dhe shqiptar gjatë historisë, si dhe afërsisë që kanë pasur këto dy popuj.

“Ka disa njerëz që përpiqen të bëjnë dallimin mes turqve dhe shqiptarëve në bazë të disa tendencave nacionaliste. Por, në fund të fundit, ekziston një realitet social, ka më shumë kosovarë që jetojnë në Turqi se sa në Kosovë dhe ka më shumë shqiptarë që jetojnë në Turqi se sa që jetojnë në Shqipëri. Ky është fakt. Disa njerëz që kanë paragjykime historike mund të përpiqen ta ndryshojnë atë fakt, por ky është fakt. Për ne, çfarëdo që të ndodhë në Prishtinë apo në Prizren, është sikur të ndodhë në Konya apo në Stamboll”, tha më tej Davutogllu.

Davutogllu zhvilloi takim edhe me kryeministrin Haradina, ku përgëzoi atë, si dhe qytetarët e Kosovës për 10 vjetorin e pavarësisë, duke vlerësuar të arriturat dhe sukseset që janë shënuar gjatë kësaj dekade.

Teuta Buçi /SHENJA/