Departamenti amerikan i Mbrojtjes pret në takim Maqedoncin

Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të Amerikës javën e kaluar ka pritur në Uashington, ministrin e Mbrojtjes në detyrë të Kosovës, Ejup Maqedonci, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari, si dhe përfaqësues nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë thuhet se takimi është zhvilluar për konsultime dypalëshe të mbrojtjes, të hartuara për të rritur aftësinë e Kosovës për të ofruar siguri për veten dhe rajonin.

“Zhvillimi i një partneri të fortë sigurie siguron stabilitetin e nevojshëm për rritje ekonomike dhe prosperitet që u sjell dobi të dy vendeve tona”, theksohet në njoftim.