Dështon të miratohet Projektkodi Civil

Dështon të miratohet Projektkodi Civil
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ia kanë dhënë dritën e gjelbër Projektkodit Civil, në seancën e së mërkurës.

Në momentin e votimit në sallë ishin të pranishëm 77 deputetë, prej të cilëve 16 nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës.

Nga 61 deputetë sa kanë votuar, 29 ishin kundër, 28 për dhe 4 abstenime.

Projektkodi Civil është kundërshtuar nga një pjesë e madhe e deputetëve, për shkak të nenit i cili mendohet se çon drejt martesave të së njëjtës gjini.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës, parashikon se “në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin”.

Por një gjë të tillë nuk e lejon Kodi Civil aktual, pasi aty specifikohet se “martesa është bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua”.

Ndërkaq, në bazë të projektkodit të ri “bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me sekse të njëjta janë të lejuara” dhe se kushtet dhe procedura lidhur me këtë rregullohen me ligj të veçantë.”