Nuk kam parë më të humbur dhe më të lënë në harresë – nga gjërat që duhen ruajtur patjetër – sesa neglizhenca e Umetit tonë ndaj Kuranit Fisnik. Allahu i Madhëruar ka shpallur një Libër të përsosur, të sistemuar dhe gjithëpërfshirës, që rregullon të gjitha çështjet e fesë dhe të jetës.
Kam bindjen, se Umeti Islam e ka për detyrë të realizojë tre objektiva kundrejt Kuranit Fisnik:
Objektivi i parë: Ta lexojë sa më shumë Kuranin, ta adhurojë Allahun dhe të afrohet sa më shumë me Të nëpërmjet këtij leximi.
Objektivi i dytë: Ta marrë për bazë Kuranin, si burimi i dispozitave ligjore sheriatike. Prej Kuranit të merren parimet, të nxirren përfundimet, të analizohen çështjet dhe të aplikohen ato.
Objektivi i tretë: Ta konsiderojë Kuranin si bazë të marrëdhënieve mes njerëzve. Kurani të jetë burimi i ligjeve të urta që rregullon marrëdhëniet mes tyre (njerëzve), të cilat duhen zbatuar.
Këto janë qëllimet dhe objektivat më të rëndësishme, për të cilat Allahu i Madhëruar ka shpallur në Librin e tij dhe për këtë e ka dërguar Lajmëtarin e Tij (a.s), duke na e lënë këtë Libër ndërgjegjësues, përkujtues, të urtë, të drejtë, këshillues dhe udhëzues.
Selefët e devotshëm i kuptuan kështu këto objektiva dhe u përpoqën t`i realizojnë në formën më të mirë. Disa prej tyre e lexonin Kuranin për tre ditë, disa të tjerë e lexonin për shtatë ditë, por kishte edhe nga ata që e lexonin për një periudhë më të gjatë. Kur puna e pengonte ndonjërin prej tyre nga leximi i përditshëm i Kuranit, atëherë ai e shikonte Kuranin, lexonte disa ajete fisnike dhe thoshte: “Këtë e bëj që të mos jem nga ata, të cilët e kanë hedhur Kuranin pas shpine”. Me të vërtetë Kurani ishte pranverë e zemrave të tyre. Leximi i përditshëm i një pjese ishte adhurim që ata bënin, e kështu ata e lexonin Kuranin natën dhe ditën.
Allahu qoftë i kënaqur me kalifin e tretë të drejtë dhe të udhëzuar, i cili nuk e lëshoi Kuranin nga dora edhe kur ia rrethuan shtëpinë, ndërsa mbi qafë kishte shpatën. Poeti thotë:
Në fillim të natës dhe në fund të saj,
Kuranin nga dora mos e ndaj.
Kështu vazhdo se mos ndalon
Caktimin e Zotit e zbukuron”.
Allahu e mëshiroftë atë person, i cili nuk pati gjë tjetër për të thënë në elegjinë e tij përveç fjalëve:
“Kurban e bënë kokën e bardhë,
Gjurmët e sexhdes reflektonin në ballë,
Gjatë natës, ai Allahun madhëronte,
E Kuranin asnjë çast nga dora se lëshonte”.
Nëse i kthehesh biografive të tyre, nuk gjen që ndonjëri prej tyre ta ketë braktisur Librin e Allahut apo ta ketë lënë leximin e tij qoftë dhe një javë dhe jo më ta ketë lënë për një muaj, apo për vite të tëra pa e prekur fare. Nuk dua të bëhem i bezdisshëm me ty, duke të treguar atë që duket nga rrezatimi i librave të biografive të tyre dhe nga ndriçimi i fletëve të librave të historisë.
Kur selefët donin të nxirrnin dispozitat e fesë së Allahut të Madhëruar, merrnin si burim të parë Kuranin. Nëse Libri i Allahut të Madhëruar nuk është burimi i parë i ligjeve, çfarë mund të jetë tjetër?! Ti e di dhe ke lexuar, se i Përzgjedhuri (a.s) ia miratoi fjalët Muadhit (r.a). Kur ai (a.s) e pyeti se si do të gjykonte, Muadhi (r.a) u përgjigj, se do të gjykonte duke u bazuar në Librin e Allahut dhe më pas në Sunetin e pastër.
Ti e di gjithashtu, se Umeri (a.s) i paralajmëroi shumë nga sahabët fisnikë, që të mos ua tregonin njerëzve – të cilët sapo e kishin pranuar Islamin – hadithet dhe ngjarjet historike, pa ua sqaruar më parë atyre kuptimin e Librit të Allahut, me qëllim që të ishin të përpiktë dhe të njihnin mirë hallallin dhe haramin e përcaktuar nga Kurani. Gjithashtu ti e di, se imamët e shquar të brezit të tabi`inëve dhe tabi tabi`inëve – si Said ibn Musejebi dhe të tjerë – nuk i lejonin njerëzit që të shkruanin fetvatë e tyre, nga frika se duke u marrë me fjalët e tyre, njerëzit do të largoheshin nga Libri i Allahut. Saidi ia grisi fletën një personi – i cili kishte shkruar fetvanë e tij – dhe i tha: “Merr për bazë fjalët e mia dhe nuk merr Kuranin?! Pastaj do të shkosh sa këndej-andej, duke thënë “Saidi ka thënë”, “Saidi ka thënë”?! E ke për detyrë të zbatosh dhe të shkruash vetëm Librin e Allahut të Madhëruar dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij”.
A nuk e shikon këtë shembull dhe shumë shembuj të tjerë të selefëve të përkushtuar, të cilët e kanë bërë Librin e Allahut bazën e të gjitha parimeve, mbi të cilin nxirren ligjet dhe dispozitat e fesë së Allahut të Madhëruar?!
Tek selefët, dispozitat e jetës së përditshme kanë qenë në përputhje të plotë me atë që urdhëron Kurani dhe ata pranonin vendimet dhe gjykimet që rridhnin nga ligji kuranor, të drejta dhe detyrime që zbatohen, dispozita që aplikohen, urdhra që marrin jetë dhe jo urdhra që anulohen, që nuk zbatohen, që justifikohen, pezullohen apo që keqinterpretohen.
Kështu ka ndodhur, atëherë kur Islami ishte i fuqishëm, kur frytet e fesë ishin të pjekura dhe të këndshme, në ato ditë kur muslimanët kuptuan urtësinë e ekzistencës së Kuranit në mesin e tyre, ashtu siç i ka mësuar Zoti i Kuranit dhe i Dërguari me këtë Libër: “Ky (Kuran) është një libër i bekuar, që Ne ta kemi zbritur ty (Muhamed), për të përsiatur mbi vargjet e tij dhe për t’u këshilluar me të mendarët”.([1])
Më vonë, ky shtet (kalifati) ra, pushteti që kishte Kurani në mendjet dhe zemrat e njerëzve u zhduk, ndërsa e huaja u fut në zemrat dhe gjuhët e tyre. Rezultati i gjithë kësaj ishte: ata u pozicionuan në një anë, ndërsa Kurani ishte në anën tjetër dhe distanca mes tyre ishte si lindja me perëndimin. Poeti thotë:
“Lind dhe perëndon,
Distancën mes tyre
askush se imagjinon”
Përsa i përket adhurimit nëpërmjet leximit të Kuranit gjatë natës dhe ditës, shumë pak prej nesh e praktikojnë këtë gjë.
Nga ana tjetër, gjen disa adhurues që praktikojnë ato adhurime që ia kanë obliguar vetes, apo që mësuesit e tyre ua kanë bërë pjesë të detyruar, sipas një formati lutjesh, leximi të vazhdueshëm të disa pjesëve të caktuara apo salavatesh. Kështu ata anashkaluan dhe braktisën Librin e Allahut të Madhëruar, ndërsa në vend të tij i obliguan vetes këto formate dhe praktika, duke zëvendësuar Kuranin, madje duke i mësuar përmendësh, duke u kujdesur maksimalisht për to, duke bërë adhurim me to, duke i lexuar, duke i mërmëritur dhe duke i përsëritur herë pas here.
Ne nuk e ndalojmë leximin e pjesëve të vërteta (nga Kurani dhe Suneti), as nuk futemi mes njerëzve dhe lutjeve apo pjesëve të përditshme që nuk janë në kundërshtim me qartësinë e Sheriatit, por u themi atyre: “Libri i Allahut është më parësori dhe ai duhet lexuar në fillim. Vendosini vetes si program leximin e përditshëm të një pjese të Kuranit, nëpërmjet të cilës i lidhni zemrat dhe shpirtrat tuaj me flladin dhe ndriçimin e Kuranit.
Pas kësaj, përmendeni Allahun e Madhëruar me të gjitha lutjet që dëshironi, me kusht që të jenë në përputhje me dispozitat e fesë. Mirëpo nuk mund të pranohet, që ta neglizhoni Kuranin dhe të gjithë adhurimin ta bëni me ato lutje që ia keni obliguar vetes – apo që të tjerët jua kanë obliguar – duke lënë anash Librin e Allahut të Madhëruar dhe duke neglizhuar të drejtat e tij.
Në lidhje me nxjerrjen e dispozitave nga Kurani, pjesa më e madhe e njerëzve kanë injorancë të theksuar ndaj Librit të Allahut, gjë që ka bërë që mes tyre dhe Kuranit të ketë një perde të hekurt dhe pengesë të padepërtueshme. Kjo i ka detyruar ata që të mjaftohen me disa ligje të përgjithshme, apo vetëm me disa komente të tyre, duke i prerë kështu vetes zellin e madh për të arritur objektivat më të larta.
Përsa i përket zbatimit të dispozitave që rregullojnë çështjet e jetës, njerëzit i kanë zëvendësuar, duke vendosur ligje të tjera në vend të ligjeve të Kuranit. Këta njerëz kanë vendosur si baza dhe burime të dispozitave të tyre ligjet e huaja, si ato franceze apo romake. Në këtë mënyrë u pezulluan dispozitat e Librit të Allahut, ndërsa muslimanët i harruan ato tërësisht. Në realitet, në Sheriatin islam gjendet dituria e Allahut të Madhëruar dhe çdo dispozitë e Sheriatit ka dobi për mbarë njerëzimin, nëse njerëzit do ta kuptonin.
Pas kësaj, muslimanët ranë në degradim, duke e bërë Kuranin Fisnik nuska për të sëmurët, zbukurim për tubimet e tyre, hare në raste festash dhe martesash apo ngushëllim në raste fatkeqësish. Ah sikur ata t`i jepnin Kuranit të drejtën e duhur! Mirëpo po ndodh e kundërta e kësaj: njerëzit i shikon të shmangur, të shkujdesur dhe nënçmues ndaj Kuranit Fisnik, por të përkushtuar ndaj lojës, fjalëve apo talljeve të kota. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur të lexohet Kurani, dëgjoni dhe heshtni, në mënyrë që të mëshiroheni”.([2])
Dikur, Kurani ka qenë zbukurim i namazeve, ndërsa sot është bërë zbukurim i festave, ka qenë peshorja e drejtësisë nëpër gjykata, ndërsa sot është bërë argëtim në sezone të ndryshme, ka qenë esenca e hutbeve dhe këshillimeve, ndërsa tani është bërë esenca e bizhuëe dhe nuskave. A nuk është e vërtetë ajo që thashë më lart: “Nuk kam parë diçka të humbur – që ka më së shumti nevojë të ruhet – sesa Libri i Allahut të Madhëruar”. Çfarë paradoksi i madh është qëndrimi ynë ndaj Kuranit: ne e vlerësojmë, e madhërojmë dhe për këtë nuk ka dyshim, e mbrojmë dhe për këtë nuk ka dyshim, adhurojmë Allahun me të dhe për këtë nuk ka dyshim, mirëpo… O njerëz! Keni gabuar në mënyrën se si vlerësohet Kurani, keni përmbysur rrugën që duhet ndjekur për ta mbrojtur atë, keni humbur nga rruga e Kuranit, e cila ju afron tek Allahu i Madhëruar.
A nuk është humbje e Librit të Allahut të Madhëruar, kur shikon ato qendra ushtarake, ku dikur ishte kusht që pjesa më e madhe e forcave ushtarake të mësonin Kuran, ndërsa sot aty nuk gjen askënd që e mëson Kuranin dhe kjo neglizhencë vazhdon të tolerohet?!
A nuk është humbje e Librit të Allahut të Madhëruar, kur shikon nxënësin të hyjë në Universitetin e Ez`herit, duke qenë hafiz Kurani – pasi ky është kriter pranimi – mirëpo kur del nga Ez`heri, ai e ka harruar Kuranin, pasi mësimi përmendësh nuk është më kriter për diplomimin e tij. Ti konstaton se kur ai mbaron shkollën dhe bëhet imam i njerëzve, e fal namazin shkurt. Nëse është këshillues, bazohet tek fjalët e dijetarëve, të cilat thjesht i ka mësuar përmendësh. Nëse është gjykatës apo avokat, ai e ka të nevojshme t`i kthehet Kuranit për të korrigjuar ajetet (që nuk i di siç duhet), në të cilat bazohet. Nuk ka dyshim, se ne me të vërtetë e kemi humbur Librin e Allahut të Madhëruar, madje duket sikur Kurani ka mbetur në mesin tonë vetëm si një libër historik, që nuk ka asnjë ndikim dhe as nuk gjen zbatim. Kjo në të vërtetë është origjina e të gjitha sprovave dhe të këqijave, të cilat na kanë pllakosur dhe na kanë goditur.
Lexues i nderuar! Nëse i kuptove këto, dije se “Vëllezërit Muslimanë” përpiqen jashtë mase që pikë së pari t`i kthehen Librit të Allahut të Madhëruar, të adhurojnë Allahun me leximin e tij, të ndriçojnë mendjet me ato që kanë kuptuar dijetarët e mëdhenj nga ajetet e tij dhe t`iu kërkojnë njerëzve që të zbatojnë dispozitat e tij dhe t`i ftojnë njerëzit që së bashku ta realizojnë këtë qëllim, i cili është nga qëllimet më fisnike që kanë muslimanët në këtë jetë. Allahut të Madhëruar i takon çështja fillim e mbarim.
Autor: Hasan El-Benna
Përktheu: Rushit Musallari
([1]) – Kurani: Sad, ajeti: 29.
([2]) – Kurani: Araf, ajeti: 204.







