Dhunë, shfrytëzim seksual, abort i detyruar – historia trishtuese e nxënëses me hetuesin policor

Një javë më parë zëvendësshefi i hetimeve në Drenas, V. V. ka marrë mirënjohje nga eprorët e tij për punë të mirë si polic i Kosovës.

Por, në kohën e dhënies së kësaj mirënjohjeje, ai ka qenë duke shfrytëzuar si skllave seksi një nxënëse nga Drenasi.

50-vjeçari ka shfrytëzuar detyrën e tij zyrtare për ta futur nën kontroll dhe për ta shfrytëzuar seksualisht një vajzë e cila sapo kishte mbushur 16 vjet.

V.V., e kishte njohur vajzën ditën që ajo kishte shkuar në stacionin policor në Drenas për ta denoncuar një mësues të saj për marrëdhënie seksuale. Viktima ishte nën moshën 16 vjeçare.

Prej asaj dite kishte nisur historia e dhunës, kërcënimeve dhe shfrytëzimit seksual të kësaj nxënëseje nga hetuesi policor.

Përveç dhunës së ushtruar mbi të. V. V., e ka detyruar vajzën të abortojë fëmijën e tyre nën kërcënim. Aborti i paligjshëm është kryer më 15 janar të këtij viti në ordinancën e gjinekologut Fehmi Ahmeti, në Prishtinë.