Pasi Ibrahimi (a.s.) ia zbuloi të atit pavlefshmërinë e adhurimit të idhujve dhe sqaroi burimin nga i cili e merr dhe mbi të cilin e mbështet thirrjen e tij drejtuar atit, ai ia bëri të qartë se rruga në të cilën ndodhet i ati është rruga e shejtanit, ndërsa ai dëshiron ta udhëzojë në rrugën e të Gjithëmëshirshmit.
Allahu i Lartësuar thotë: “O ati im, mos e adhuro shejtanin, se vërtet shejtani ka qenë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit. O ati im, unë kam frikë se mos të godet një dënim nga i Gjithëmëshirshmi, e kështu të bëhesh mik i shejtanit.”[1]
1 – “O ati im, mos e adhuro shejtanin”:
Ibrahimi (a.s.) e porosit të atin që të mos e adhurojë shejtanin, sepse kushdo që adhuron dikë tjetër përveç Allahut, në të vërtetë e ka adhuruar shejtanin. Siç thotë Allahu i Lartësuar: “A nuk ju kam porositur, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuroni shejtanin? Vërtet ai është armik i hapur për ju.”[2]
Me adhurimin e shejtanit këtu nënkuptohet adhurimi i idhujve; dhe Ibrahimi (a.s) e ndalon të atin nga adhurimi i shejtanit, sepse ai është urdhëruesi i këtij adhurimi, zbukuruesi i tij dhe nxitësi për ta ndjekur. Po ashtu, me adhurimin e shejtanit nënkuptohet bindja ndaj tij dhe veprimi sipas vesveseve të tij; sepse kush i bindet diçkaje në mëkat, e ka adhuruar atë. Prandaj, kush i adhuron idhujt, në të vërtetë ka adhuruar shejtanin.
2 – “Vërtet shejtani ka qenë i pabindur ndaj të Gjithëmëshirshmit”:
Në këtë ajet, Ibrahimi (a.s.) përmend shkakun e ndalimit nga adhurimi i shejtanit. Sikur të thoshte: mos e adhuro shejtanin, sepse ai është tepër i pabindur ndaj Allahut të Lartësuar, Atij që është i Gjithëmëshirshëm dhe që të ka mbuluar me begatitë e Tij. Nuk i shkon për shtat njeriut të adhurojë dikë që i është rebeluar Zotit të vet, ka mohuar begatitë e Tij dhe ka kundërshtuar urdhrin e Tij. Përdorimi i përshkrimit “i pabindur”, që është formë e theksuar e mosbindjes, së bashku me foljen “ka qenë”, tregon se shejtani është vazhdimisht dhe në mënyrë të qëndrueshme në mosbindje ndaj Zotit të tij.
Përmendja e emrit “Er-Rrahman” (i Gjithëmëshirshmi), e jo ndonjë emri tjetër, ka disa qëllime, ndër më kryesoret:
A – Tërheq vëmendjen te gjerësia e mëshirës së Allahut, duke nënkuptuar se Ai është i Vetmi që meriton adhurim, jo mosbindje.
B – Tregon mjerimin dhe shkatërrimin e shejtanit, sepse ai është rebeluar Atij që është i tillë në mëshirë, duke kryer një mëkat që e nxori nga kjo mëshirë; ç’ka e bën edhe më të shëmtuar mosbindjen e tij.
C – Është tregues se mëkatet e pengojnë robin nga mëshira e gjerë e Allahut dhe ia mbyllin dyert e saj, ndërsa bindja është shkaku më i madh për ta fituar mëshirën hyjnore; prandaj, përparësi duhet t’i jepet bindjes ndaj Allahut.
Në këtë ajet kuranor në vend që të thuhej: “mos e adhuro atë”, është përmendur përsëri fjala “shejtani”, për ta shtuar neverinë ndaj bindjes së tij dhe për ta bërë më të urryer adhurimin e tij. Vetë përmendja e emrit të tij, e përsëritur, është e papëlqyeshme dhe e neveritshme për çdo njeri me natyrë të shëndoshë. Po ashtu, shfaqja e emrit në vend të përemrit shërben që fjalia përmbyllëse të jetë e pavarur dhe të qëndrojë si këshillë më vete.
3 – “O ati im, unë kam frikë se mos të godet një dënim nga i Gjithëmëshirshmi, e kështu të bëhesh mik i shejtanit”:
Ibrahimi (a.s.) e paralajmëroi të atin nga dënimi dhe zemërimi i Allahut të Lartësuar, nëse do të vdiste duke qenë në gjendjen e adhurimit të idhujve dhe bindjes ndaj shejtanit; sepse në atë rast ai do të ishte shok i shejtanit në dënim dhe në dëbimin nga mëshira e Allahut. Ky bir i devotshëm e filloi këshillën e tij të katërt ashtu si të mëparshmet, me thirrjen e butësisë dhe dashurisë: “O ati im”. Fjalët e tij janë në përputhje të plotë me gjendjen e dhembshurisë, frikës për të atin, kujdesit dhe mëshirës që ai kishte ndaj tij, kur tha: “Unë kam frikë se mos të godet një dënim nga i Gjithëmëshirshmi”. Ai përdori shprehjen “kam frikë”, sepse frika është pritje e diçkaje të padëshiruar mbi bazën e një shenje të mundshme ose të ditur, pa qenë e prerë dhe e sigurt.
Pra, Ibrahimi (a.s.) nuk deklaroi prerazi se dënimi do ta kapte patjetër të atin, por e shprehu atë në formën e frikës, që tregon hamendje e jo siguri absolute. Kjo ishte edhe nga edukata ndaj Allahut të Lartësuar, sepse ai nuk po pohonte diçka që i përket vendimit hyjnor; njëkohësisht, ai po linte të hapur derën e shpresës në zemrën e të atit, që ai të mendonte për shpëtimin nga ky dënim, duke hequr dorë nga adhurimi i idhujve dhe bindja ndaj shejtanit.
Po t’i kishte thënë: “dënimi do të të kapë patjetër”, do ta kishte dëshpëruar dhe do t’ia kishte mbyllur derën e shpëtimit, të cilën ai ende mund ta kërkonte. Për këtë arsye, ai e shprehu arritjen e dënimit me fjalën “të prekë”, e cila është më e butë se “të dënojë”, dhe nënkupton një lloj prekjeje të lehtë. Po ashtu, ai nuk përmendi asgjë që të tregonte ashpërsinë e dënimit, madje e përmendi fjalën “dënim” në trajtë të pashquar, për të nënkuptuar lehtësim ose për ta zvogëluar përfytyrimin e tij,
Përmendja e cilësisë “i Gjithëmëshirshmi” tregon se dënimi nga Ai që është i përshkruar me mëshirë ndodh vetëm për shkak të shëmtisë së madhe të krimit, deri në atë masë sa e privon njeriun nga mëshira e Atij që në thelb është i Gjithëmëshirshëm. Kjo cilësi gjithashtu nënkupton se mëshira nuk e përjashton dënimin dhe as nuk bie ndesh me të, si dhe se mëshira i paraprin zemërimit.
Më pas, pasi e paralajmëroi të atin nga dënimi i Allahut, Ibrahimi (a.s.) ia sqaroi edhe përfundimin dhe pasojën e këtij dënimi, duke thënë: “e kështu të bëhesh mik i shejtanit”, domethënë në dynja dhe në ahiret, duke zbritur në strehën e tij të ulët dhe vendin e tij shkatërruese. Kështu, miku i Allahut (a.s.) e përshkallëzoi thirrjen e tij ndaj të atit nga më e lehta drejt më të rëndësishmes: fillimisht e informoi për dijen e tij dhe se kjo kërkon ndjekje; pastaj e ndaloi nga adhurimi i shejtanit dhe ia shpjegoi dëmet e tij; e në fund e paralajmëroi nga ndëshkimi dhe zemërimi i Allahut, nëse do të vazhdonte në atë gjendje, duke u bërë përfundimisht mik i shejtanit.
Shejk Shenkiti thotë: kuptimi i adhurimit të shejtanit në fjalën “mos e adhuro shejtanin” është bindja ndaj shejtanit në kufër dhe mëkate. Prandaj, idhujtaria është edhe në bindjeje, siç thotë Allahu i Lartësuar:
“A nuk ju kam porositur, o bijtë e Ademit, që të mos e adhuroni shejtanin? … dhe që të më adhuroni Mua; kjo është rruga e drejtë.”[3]
Ky ajet tregon se jobesimtarët e ndëshkuar Ditën e Kiametit janë miqtë e shejtanit, ashtu siç dëshmon fjala e Allahut: “… e kështu të bëhesh mik i shejtanit”. Ajetet që tregojnë se jobesimtarët janë miqtë e shejtanit janë të shumta, si fjala e Allahut: “Luftoni miqtë e shejtanit”[4], dhe fjala e Tij: “Vërtet ai shejtan ju frikëson me miqtë e tij”[5], dhe fjala e Tij: “Ata i kanë marrë shejtanët për miq në vend të Allahut”[6], e të tjera ajete të ngjashme.
Kushdo që shejtani ia zbukuron njeriut mosbesimin dhe mëkatet, e ai e ndjek në këtë botë, nuk do të ketë mik në botën tjetër përveç shejtanit, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Pasha Allahun, Ne u kemi dërguar të dërguar popujve para teje, por shejtani ua zbukuroi veprat e tyre; ai është miku i tyre sot dhe për ta ka dënim të dhembshëm.”[7]
Kush nuk ka mik Ditën e Kiametit përveç shejtanit, atëherë është e qartë se nuk ka askënd që ta ndihmojë e t’i sjellë dobi në atë ditë. Mirëpo fjalët e buta dhe kaq ekoluente të Ibrahimit (a.s) nuk depërtuan në zemrën e ashpër të babit të tij, i cili zgjodhi adhurimin e idhujve në vend të adhurimit të Allahut të Lartësuar.
Autor: Ali Muhamed Salabi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Merjem: 44 – 45.
[2] – Sure Jasin: 60.
[3] – Sure Jasin: 60 – 61.
[4] – Sure Nisa: 76.
[5] – Sure Ali Imran: 175.
[6] – Sure A’raf: 30.
[7] – Sure Nahl: 63.








