Dialogu nuk po i normalizon raportet Kosovë-Serbi

Dialogu Kosovë-Serbi nuk ka ndikuar në normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve. Opozita dhe analistët thonë se ky proces i ka ndihmuar Serbisë për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa në disa raste e ka zbehur shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Dialogu i Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i njohur ndryshe edhe si dialog për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Prishtinës dhe Beogradit vlerësohet se nuk ka ndikuar në normalizimin marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy shteteve.

Përderisa përfaqësuesit e Qeverisë thonë se janë duke u zbatuar 30 nga 33 marrëveshjet e arritura, subjektet opozitare dhe analistët politikë në vend thonë se shumica e marrëveshjeve nuk janë duke u zbatuar.

Ata madje kanë thënë se shumë marrëveshje kanë qenë të dëmshme për Kosovën, pasi sipas tyre e zbehin sovranitetin e shtetit, shkruan “Zëri”.

Ministrja për dialog, Edita Tahiri e ka vlerësuar si të suksesshëm dialogun e Prishtinë-Beograd, kurse ka thënë se vetëm tri marrëveshje nuk janë duke u zbatuar.

”Janë gjithsej 33 marrëveshje. Prej tyre 30 janë duke u zbatuar nga dyja palët edhe nga Kosova edhe nga Serbia. Ato që ende nuk po zbatohen janë ajo e Telekomit… pastaj është ajo për Asociacionin dhe Marrëveshja për Energjinë. Këto janë marrëveshje që duhen të zbatohen. Për energjinë dhe kodin Serbia është përgjegjëse për ta zbatuar, ndërsa për Asociacionin ne jemi përgjegjës dhe ne kemi thënë që në momentin që ITU zyrtarisht më 15 dhjetor ia jep kodin Kosovës dhe shpallin në buletinin e vet zyrtarë, ne do të fillojmë përgatitjet për zbatimin e Asociacionit”, ka deklaruar ajo.