Diego Maradona Jr., djali i legjendës argjentinase të futbollit Diego Armando Maradona, brohoriti në mbështetje të Palestinës gjatë një ndeshjeje solidariteti të zhvilluar në Napoli të Italisë.
Ngjarja u mbajt në stadiumin Stadio Diego Armando Maradona, ku ekipi “Palestine Stars” u përball në një miqësore me një ekip të përbërë nga ish-futbollistë italianë. Në takim morën pjesë edhe disa ish-lojtarë të kombëtares palestineze, si dhe presidenti i Federatës Palestineze të Futbollit, Jibril Rajoub.
Gjatë ndeshjes, në stadium u valëvitën flamuj palestinezë dhe u dëgjuan thirrje në mbështetje të lirisë dhe drejtësisë për popullin palestinez. Organizatorët thanë se aktiviteti synonte të tregonte solidaritetin ndërkombëtar me Palestinën dhe rolin humanitar të sportit përtej garës sportive.
Ndeshja përfundoi me fitoren 6-2 të ekipit “Palestine Stars”. Në fund të aktivitetit, Rajoub e nderoi Maradona Jr., i cili mbante veshur kefijen palestineze, me një mirënjohje nga Federata Palestineze e Futbollit. /mesazhi




