Diskursi i predikimit

Belkis Latifi

Kur në bisedë e sipër flisnim për gjëra sekondare dhe terciare, më të vjetrit n’a thoshin: “Ore bir, shtëpia, nga themeli ndërtohet.”

Kam përshtypjen, e uroj të jem i gabuar në këtë percepsion se, ne shpesh herë diskutojmë, debatojmë e flasim kryekëput se s’i do të duket kati i I-rë, i II-të dhe kështu me rradhë, pa e paraparë fare se ku do të vëndohet themeli i shtëpisë, e më e keqja, edhe pa e blerë ende tokën mbi të cilën do t’a ngrisim shtëpinë!

Fillimisht, ngushëllimet më të sinqerta i shprehim për jetërat e humbura pas tërmetit të rëndë që ndodhi në Turqi dhe Siri, duke lutur Zotin Fuqiplotë që t’i ketë pranuar nën mëshirën e Tij të pafundme.

Patëm qasje, këndvështrime dhe perspektiva nga më të ndryshmet, si psh: “Ja, ky është dënimi i Zotit!”

Komente të tjera si: “Dënimi i Zotit është i rëndë!” “Nuk ishte kjo tjetër, përveç se Zoti deshi t’i frikësojë njerëzit”, etj.

Realisht, nga do duhej të ishin drejtuar bisedat tona pas kësaj fatkeqësie? Ku do të duhej vënë fokusi ynë? Cila do të ishte qasja dhe këndvështrimi i duhur dhe i drejt?

Sipas meje, pikat që duhet të elaborohen janë:
1. Pas ngushëllimeve për këtë që ndodhi, pyetja e parë që do të duheshte të sillet në kokat tona është: “Si dhe çfarë mund të kontriboj unë dhe shoqëria ime në këtë fatkeqësi?!”
2. Ku jemi ne me zhvillimin infrastrukturor? Për çfarë arsye, ashtu siç mund t’a shikojmë në fotografinë e mëposhtme, të gjitha ndërtesat për rreth janë rënuar, e vetëm godina e inxhinierisë së ndërtimit, “qëndron në këmbë”?

3. Për çfarë arsye, po të ndodhte një tërmet me magnitudë të tillë në Japoni, nuk do të kishte kaq shumë pasoja?!
4. Si ka mundësi që tre ditë më parë studiuesi holandez e parashikoi këtë tërmet të fuqishëm, edhe përkundër faktit se shkenca e sizmiologjisë n’a bën të ditur se nuk ka mundësi që të parashikohet saktësisht koha dhe magnituda e tërmetit?!
5. Përse të jetë kjo dënim nga Zoti, Mëshiruesi, Mëshirbërësi, ndaj besimtarëve myslimanë, e nuk qenka sprovë, kur e dijmë se Ai, Fuqiploti, e vë në sprovë kë të dojë?!
6. Pa u futur në debate sterile, nga dhe si mund të ketë ndodhur, shtrohet pyetja se cili shkencëtar mysliman deri më sot e zbërtheu se çfarë nënkupton sistemi Harp dhe se a ka mundësi që nëpërmjet tij të shkaktohen tërmete?! Dëgjuam dhe lexuam shumë se, nuk ka mundësi absolute të shkaktohen tërmete nga sistemi Harp! Në rregull. Porse, si mund t’a mohojmë ne se a mund të shkaktohet tërmet nga një sistem i tillë apo jo, pa e ditur se çfarë nënkupton dhe si funksionon ai sistem?! Cili shkencëtar mysliman deri më sot ka sjellur fakte shkencore se nuk është e mundur që të shkaktohen tërmete artificiale?!
7. Nëse, sipas ndokujt tërmeti shërbeu si dënim për ta, atëherë, përse nuk po ndodhë dënimi edhe në shtete, vende, qytete e njerëz të zhytur në krime dhe degjenerime, porse vetëm tek ata njerëz që të gjithë e pamë tek ta besimin e shkallës më të lartë?! Që do të thotë, ka diskrepancë! Ka qasje paradoksale. Ka keqkuptime. Ka keqinterpretime, etj!

Besimtari mysliman, përpara se të merret dhe qortojë duhanin e pirjen e cigares, duhet t’ia shtrojë vetes pyetjet: “Sa në jetë unë e kam përmbushur urdhërin e Zotit të Madhëruar, lexo?!”
“Çfarë dobie i’u sjellë dhe kanë nga unë, familja ime, rrethi, shoqëria dhe shteti im?!”
“Sa projekte dobiprurëse kam realizuar deri më tani, e çfarë projektesh dhe vizioni kam në të ardhmen time, për t’i sjellur dobi njerëzimit?!” “Me se merrem unë?”
“Si mund të bëhem më i mirë?” “A janë të kënaqur nga unë, prindërit, bashkëshortja dhe fëmijët?” “Sa ka vend xhelozia në zemren time?” “Si t’a luftojmë mendjemadhësinë dhe egoizmin?” “Si të bëhem më bujar dhe solidar?” “Si t’a përmirësojmë sjelljen dhe komunikimin tonë me të tjerët?” “Si të bëhemi më të mirë?” “Si të prosperojmë në jetë?” “Si të bëhemi të drejt dhe t’iu ikim mashtrimeve?”
Këto, e shumë pyetje të tjera, përgjigjet e të cilave n’a bëjnë të reflektojmë.
Zoti, adhurohet më shumë jashtë objektit të kultit (xhamisë), se sa brenda saj. Vetëm gjysmë apo dhe një orë, e adhurojmë Atë brenda, kurse edhe njëzet e tre orë të tjera, i kemi në dispozicion për t’a adhuruar Atë jashtë xhamisë!

Deri kur, pamja e jashtme do të ketë rëndësinë e do të jetë më parësore se sa brendësia?!
Një cigare në gojën e një besimtari, nuk është më e dëmshme se sa përgojimi, shpifja, gënjeshtra, ofendimi, mallkimi etj., në gojën e një besimtari tjetër!
“Shpia ndërtohet prej temeli, jo prej kulmi!”

Nga: Belkis Latifi

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *