Dobitë e Fondit Sovran të Kosovës

Lulzim Beqiri

Fondi Sovran si qëllim primar e ka me­na­xhimin e pa­surisë së rëndë­si­shme publike, duke rri­tur vlerën, per­for­man­cën dhe kthi­min në in­ves­time për­mes mirë­qe­ve­risjes, plani­fi­ki­mit të duhur afat­gjatë dhe mbi­k­ëqyrjes së efekt­shme. Gjithashtu, fondi synon të sigurojë kapi­tal dhe partneritet për­ ta rritur shumë­llojshmërinë, qën­d­rue­sh­mërinë fi­nan­ciare, kon­ku­rrue­shmërinë dhe shkath­tësitë pu­nue­se e tek­nologjike të eko­nomisë së vendit.

Shkruan: Lulzim BEQIRI, Prishtinë

Fondi Sovran llogaritet të jetë projekti më i madh zhvillimor për ekonominë kosovare. Ky projekt ka nisur si rezultat i premtimit elektoral nga partia në pushtet në fushatën zgjedhore të vitit 2021. Qeveria aktuale ka hartuar projektligjin për Fondin Sovran, i cili pritet të miratohet në ekzekutiv dhe pastaj t’u dërgohet për aprovim deputetëve të Kuvendit të Republikës.

Fondi Sovran i Re­pu­b­li­kës së Ko­so­vës do të jetë in­s­ti­tu­ci­on investues dhe zhvi­llimor, i cili do ta rregullojë me­na­xhimin e aseteve, inves­timet dhe finan­ci­min e fondit. Fondi është i hartuar ashtu që ta nxitë qën­drue­sh­më­rinë ekonomike, sho­që­rore dhe mje­di­sore në qeve­risjen e ndërmarr­jeve për­mes këtyre mjeteve:

– Këshilli i punë­to­rëve ose or­ga­ni­zimi sin­dikal;

– Kontrata kolek­ti­ve sipas legjis­la­ci­onit në fuqi;

– Barazia gjinore në për­bërjen e or­ga­neve të ndër­marrjes; dhe

– Standardet e qën­d­rue­shmërisë mje­disore.

Fondi Sovran si qëllim primar e ka me­na­xhimin e pa­surisë së rëndë­si­shme publike, duke rri­tur vlerën, per­for­man­cën dhe kthi­min në in­ves­time për­mes mirë­qe­ve­risjes, plani­fi­ki­mit të duhur afat­gjatë dhe mbi­k­ëqyrjes së efekt­shme. Gjithashtu, fondi synon të sigurojë kapi­tal dhe partneritet për­ ta rritur shumë­llojshmërinë, qën­d­rue­sh­mërinë fi­nan­ciare, kon­ku­rrue­shmërinë dhe shkath­tësitë pu­nue­se e tek­nologjike të eko­nomisë së vendit. Siç parashihet në projektligjin për Fondin Sovran, ky fond do ta për­krahë zhvi­lli­min e qën­d­rue­shëm eko­no­mik, të mbë­sh­te­tur në drej­të­sinë sho­që­ro­re, bara­zinë gjinore dhe mbrojt­jen e mje­disit sipas li­gjit dhe stan­dar­de­ve euro­pi­ane dhe ndërkombëtare, do të shërbejë si in­s­ti­tu­ci­on in­ves­tues i Repub­li­kës së Ko­so­vës, do ta për­faqësojë in­te­re­sin fi­nan­ciar të Re­pu­b­li­kës së Ko­so­vës dhe do t’i përkrahë ori­en­ti­met zhvi­llimore afat­gjata të Qeverisë.

Kapitali themeltar i Fon­dit parashihet të jetë rreth njëzet mi­li­onë (20 000 000) euro, i shpre­hur në një ak­sion të vetëm. Ka­pi­ta­li mund të rritet me sta­tutin e fondit. Kapitali themeltar mbulohet në tërësi nga Re­pu­b­li­ka e Ko­so­vës dhe derdhet në lloga­rinë që mbahet në Ban­kën Qendrore në emër të fondit. “Aksionet e fondit nuk mund të tjetër­so­hen. Fondi nuk mund të emetojë, të shesë, të dhu­rojë ose të lërë peng aksione të Fondit.”, thuhet në projektligjin për fondin sovran.

Re­pu­b­li­ka e Ko­so­vës nuk lë peng aksi­o­net e Fondit dhe nuk i ngar­kon me barrë ase­tet e Fondit, nuk e tërheq kapi­ta­lin nga Fondi, për­veç nëse Qeveria, me pël­qim të Kuvendit të Re­pu­b­li­kës, vendos ta bartë asetin e Fondit në pronësi të Re­pu­b­li­kës. Bartja lejohet kun­drejt kompensimit të vlerës së tregut.

Sipas projektligjit, asetet e fondit nda­hen në këto kategori:

– Asete të rezer­vuara;

– Asete stra­tegjike; dhe

– Asete të por­tofolit.

Aseti i rezervuar është industri me karak­ter të sigurisë, të mbroj­tjes ose të interesit jetik për­ Re­pu­b­li­kën e Ko­so­vës. Fondi nuk mund të shesë, të dhurojë ose ta ngarkojë me barrë asetin e rezervuar. Aseti strategjik është aset i rëndë­sis­hëm i ekonomisë së ven­dit. Fondi mban shumi­cën e të drejtave kont­rolluese dhe shu­mi­cën e ak­si­o­neve ose të pjesë­marrjes në pro­në­si të asetit strategjik. Aseti i portofolit është çdo aset i Fondit që nuk është i rezer­vuar ose strategjik. Fon­di mund ta dispo­nojë asetin e portofolit sipas këtij ligji.

Sipas vlerësimeve të grupit punues të projektligjit për Fondin Sovran, këto do të jenë ndërmarrjet publike, të cilat mund t’i barten fondit sovran:

– Korporata Energjetike e Kosovës;

– Telekomi i Kosovës;

– Posta e Kosovës;

– Kombinati Metalurgjik “Trepça”;

– Trainkos;

– Infrakos.

Korporata Energjetike e Kosovës SH.A. (KEK SH.A.) është ndërmarrja kryesore energjetike në Republikën e Kosovës. Ajo është e integruar vertikalisht dhe është korporatizuar në fund të vitit 2005. Asetet e Korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në periudha të ndryshme kohore KEK sh.a. iu nënshtrua ndryshimeve të shumta. Kapitali i kompanisë është rritur në € 312.7 milion në 2022, duke reflektuar strukturën kapital/detyrime në 54 për qind kapital me 46 për qind detyrime në 2022.

Posta e Kosovës u ngrit dhe u zhvillua deri në fund të viteve të tetëdhjeta, në kohën kur u bë suprimimi i autonomisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Përkrah institucioneve të tjera, edhe Posta dhe Telegrafi i Kosovës u shfrytëzuan pamëshirshëm për t’u shkatërruar tërësisht në luftën e viteve 1998-1999. Me përfundimin e luftës, saktësisht më 2 gusht 1999, punonjësit e dëbuar u rikthyen në vendet e tyre të punës.

Për Trepçën, si vendburim xeheror, dihet që nga koha e sundimit të romakëve në këto vise (bazuar në dokumentin në arkivin e Dubrovnikut të vitit 1303), mirëpo eksploatimi modern i “Trepçës” ka filluar në vitin 1927, nga ana e shoqërisë aksionare “Trepça Mine Ltd.”, e themeluar në Londër. Në këtë periudhë e fillon “jetën” Trepça e sotme. Prodhimi i rregullt në Trepçë fillon në vitin 1930 dhe për një kohë shumë të shkurtër Trepça ishte shtylla kryesore industriale e ekonomisë së Kosovës.

Pas shumë përpjekjeve, në nëntor të vitit 2016 Kuvendi i Kosovës e shpëtoi Trepçën nga likuidimi me nxjerrjen e Ligjit për Trepçën, me ç’rast e transformoi në shoqëri aksionare, ku 80 për qind të aksioneve të kësaj korporate janë pronë e qeverisë së Republikës së Kosovës dhe 20 për qind të aksioneve në pronësi të punëtorëve të Trepçës.

Misioni i Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës “Infrakos” SH.A. është që të operojë me rrjetin hekurudhor të Kosovës, t’i rrisë dhe mirëmbajë vijat hekurudhore për operim, duke u bazuar në standardet e Bashkimit Europian.

Hekurudhat e Kosovës – Trainkos Sh.A. është një kompani e orientuar kah tregu që do të ofrojë shërbime të transportit të mallrave dhe udhëtarëve në mënyrë konkurruese, të sigurt, ekonomike dhe miqësore me mjedisin.

Pra bashkimi i këtyre ndërmarrjeve do të krijojë ndërmarrje të fuqishme zhvillimore, do ta përmirësojë tej mase infrastrukturën ligjore dhe orientimin drejt profitit më të madh.

Sipas “Sovereign Wealth Fund Institute”, aktualisht ekzistojnë 134 fonde sovrane (FPS) në botë, nga të cilat 23 janë në Afrikë, 24 në Azi, 9 në Australi dhe Paqësor, 20 në Europë, 14 në Amerikën Latine, 25 në Lindjen e Mesme dhe 18 në Amerikën Veriore. 13 nga top 100 FPS-të, në bazë të vlerës totale të aseteve nën menaxhim, gjenden në kontinentin e Europës, duke përfshirë FPS nga Norvegjia, Rusia, Gjermania, Austria, Irlanda, Finlanda, Spanja, Belgjika, Greqia, Malta dhe Luksemburgu, ndërsa FSP që kanë vlerë më të vogël (pra që nuk janë në top 100), por që gjenden në Europë, përfshijnë ato nga: Franca, Suedia, Monako dhe Polonia. Ndonëse nuk është e renditur nga IFPS, një FPS tjetër nga Europa e që ka relevancë krahasuese për Kosovën. është edhe “Slovenian Sovereign Holding” e themeluar në vitin 1993 në Slloveni.

Zotërimi i tregut të FPS-ve është në duart e 10 fondeve sovrane me 73 për qind të gjithë pasurive në dispozicion me një vlerë që e arrin shumën 7.4 triliardë euro, ku si liderë prin shteti i Norvegjisë me 930 miliardë euro. Duke u bazuar edhe në suksesin që kanë fondet e përmendura, si edhe fondet tjera, edhe fondi kosovar do të jetë i suksesshëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

Sipas të dhënave nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (tetor 2021), janë 592 ndërmarrje/njësi punuese të cilat janë nën administrimin e Agjencisë, si:

– 515 janë gjithsej Ndërmarrje Shoqërore dhe Ndërmarrjeve të Reja; dhe

– 77 janë gjithsej asete/njësive punuese në Kosovë, selitë e të cilave janë jashtë Kosovës.

Statusi aktual i të gjitha ndërmarrjeve/njësive punuese nën administrim të Agjencisë është si në vijim:

– 579 NSH të vendosura në likuidim;

– 544 NSH ende në proces të likuidimit;

– 35 NSH me proces të përmbyllur me vendim të Dhomës së Posaçme;

– 15 NSH në tranzicion, të cilat ende nuk i janë nënshtruar procesit të likuidimit;

– 11 NSH të cilat nuk administrohen nga AKP, por që procesi i transferimit të tyre ende nuk ka përfunduar me institucionet tjera (Kosovatransi dhe Ekonomitë Pyjore).

Sipas AKP-së, janë 94 asete, si: miniera, ndërtesa administrative e lokale, fabrika, hotele, ferma, depo të ndryshme, pika të karburanteve, qendra rehabilituese, zyra, toka bujqësore të të gjitha kategorive e të tjera, si edhe rreth 48 mijë hektarë tokë që mund t’i barten Fondit Sovran.

Prandaj Fondi Sovran do të jetë një nga nismat më të mira të zhvillimit ekonomik të Republikës së Kosovës. Ky fond vjen si rezultat i një gjakderdhjeje financiare që ka ndodhur në të kaluarën, si në privatizim, ashtu edhe në menaxhimin e ndërmarrjeve publike.