Dodik tallet me SHBA-në, “feston” sanksionet ndaj tij me raki, mish e harmonikë

Anëtari serb i Presidencës 3-anëtarëshe të Bosnjës-Hercegovinës, Milorad Dodik, pak pasi ndaj tij u vunë sanksione nga SHBA-ja për rolin destruktiv në vendin e tij, fyeu Amerikën dhe presidentin e saj, Joe Biden.

Tha se nuk i bëhet dert për sanksionet e SHBA-së.

E për “të vërtetuar” këtë, ai në mbrëmje organizoi një festë me bashkëpunëtorë, përcjell portali “Klix.ba”.

Në videot e postuara nga partia që udhëheq ai, SNDS, shihet se në festë kishte meze me bollëk, pije të ndryshme dhe muzikë “live”.

Po ashtu, duke dashur të ironizojë me SHBA-në, partia e Dodikut ka vënë videon ku dëgjohet kënga e një këngëtari të njohur serb, “Një metër e fshatit tim sa e gjithë Amerika”. Këtë e ka vënë edhe si përshkrim mbi videon e postuar në twitter.

SHBA-ja vuri sanksione ndaj Dodikut të mërkurën për shkak të rolit të tij destruktiv dhe për shkak të tentimit të tij për të shkatërruar Bosnjë-Hercegovinën si shtet multi-etnik. /koha