Dogana konfiskon mallra me vlerë 140 mijë euro brenda një jave

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë javës ka konfiskuar mallra të kontrabanduara me vlerë prej 140 mijë eurove.

Dogana thotë se janë parandaluar 14 raste të tentim kontrabandës, ku në dy raste të ndara janë zbuluar mallra të ndalura, si armë dhe substanca narkotike.

Tutje, bëhet e ditur se në terminalet doganore gjatë zhdoganimit te mallrave janë gjetur dhe parandaluar 7 raste të mos-deklarimit të saktë, respektivisht tentime për të shmangur pagesat e taksave.

“Kontrolli i autobusit: Në fillim të javës, njësitet antikontrabandas kanë parandaluar tentativën e futjes së mallrave të paligjshme përmes një autobusi. Ky aksion ka vazhduar edhe në lokacionin e importuesit, ku janë zbuluar dhe sekuestruar mallra të paligjshme. Zbulimi i armëve dhe substancave stimuluese seksuale: Gjatë kontrollit në rajonin e Ferizajit te një subjekt tregtare, është zbuluar një armë ilegale. Po ashtu, në kontrollin e disa subjekteve në rajonin e Prishtinës janë zbuluar edhe sekuestruar 40,000 euro në mallra, përfshirë stimulues seksual”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, Dogana thotë se nga kontrolli i subjekteve të ndryshme aksionet janë realizuar në disa rajone të Kosovës, duke përfshirë Prishtinën, Gjilanin, Podujevën dhe Prizrenin.

“Kontrolli i subjekteve të ndryshme: Aksionet kanë vazhduar në disa rajone të Kosovës, duke përfshirë Prishtinën, Gjilanin, Podujevën dhe Prizrenin, ku janë kontrolluar subjekte të ndryshme dhe janë zbuluar mallra të huaja pa dokumentacionin e nevojshëm për t’i zhdoganuar. Në Prizren, gjatë një kontrolli në një subjekt që merret me shitjen e telefonave, janë gjetur 19 telefona pa dokumentacionin e duhur. Kontrolli në terminalet doganore: Kontrolli i realizuar në terminalet e brendshme doganore ka zbuluar 7 raste të mos-deklarimit të saktë të mallrave. Në një prej rasteve, është vënë në dukje një permutacion i mallrave për të shmangur pagesat e taksave importuese. Gjithashtu, janë zbuluar raste të mallrave të përziera nga Turqia dhe nga India, ku 3 prej tyre janë dyshuar për shkelje të ligjit mbi pronësinë intelektuale dhe janë dërguar për verifikim”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Ndërkaq, nga kontrolli i substancave narkotike Dogana ka bërë të ditur se gjatë një kontrolli të pakove në postën doganore, janë gjetur 197 pilula narkotike të llojit ekstazi si dhe një qese me përmbajtje 37% THC, të cilat janë dorëzuar te Policia e Kosovës për hetim dhe veprime të mëtejshme.

Dogana e Kosovës ka aplikacionin e-Dogana për pajisjet e mençura android dhe ios, i cili mundëson lajmërim të parregullsive dhe sjelljeve jo profesionale me komunikim të sigurt dhe gjithashtu ofron shërbime tjera me qëllim të shërbimit ndaj qytetarëve dhe komunitetit të prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.