Donika Gërvalla dorëzon zyrtarisht aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka dorëzuar në Këshillin e Evropës, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë institucion.

Këtë e ka bërë të ditur vetë ministrja Gërvalla përmes një video-mesazhi.

“Sapo dola nga takimi me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Në emër të Republikës së Kosovës dorëzuam kërkesën për anëtarësim”, ka thënë Gërvalla.

Ministrja ka theksuar se sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshill të Evropës.

“Sot hapet një kapitull i ri për Kosovës në KiE, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, Asamblesë Parlamentare dhe në fund edhe të Këshillit Ministror. Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës”, ka thënë Gërvalla.

Qeveria e Kosovës në një mbledhje të jashtëzakonshme ka miratuar nismën për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.

Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi.

Kohë më parë është paralajmëruar se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshill të Evropës në muajin maj.