“Dosja Haspel”, Shefja e CIA-s jep llogari në Senat: Dyshohet se ka mbikëqyrur seanca torture

Raportimet e mediave amerikane për shefen e re të CIA-s, Gina Haspel, kanë përfunduar në duart e Senatit Amerikan.

Bëhet fjalë për akuzat se Haspel ka qenë personi kyç në seancat e torturave.

National Security Archive, ka nxjerrë një dosje të quajtur “Dosja e torturave të Haspel”, e përbërë prej 9 dokumentesh ku pretendohet se Haspel ka qenë ‘shefja’ e torturave të CIA-s në Tajlandë.

Mediat amerikane raportojnë se Haspel është një ndër njerëzit e administratës Bush, që ka ‘mbjellë’ idenë tek administrata se tortura është metoda e duhur për nxjerrjen e informacionit.

Kabllogramët e autorizuar nga Haspel kanë përfunduar tashmë në duart e mediave, duke sjellë ankesat në Gjykatën Federale të Washingtonit. Në datën 9 maj Haspel do paraqitet në Senat ku do japë shpjegimet e saj për këtë çështje.

Dosja Haspel ka hapur një debat të gjerë në SHBA, duke hedhur tezën se vendi që konsiderohet si kampion i drejtave të njeriut dhe demokracisë, vendos në pozicione kyçe, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të dyshuar për pjesëmarrje në seanca torturash.