​Drafti i Lajçakut në Komisionin e Venecias, Osmani thotë se Kurti nuk ia prezantoi këtë ide

Pas deklarimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që drafti i propozuar nga emisari Miroslav Lajçak të shqyrtohet nga Komisioni i Venecias, presidentja e vendit Vjosa Osmani tha se ende nuk iu është prezantuar një ide e tillë.

Osmani tha se kurdo që i prezantohet institucionit të presidentes kjo ide do të shqyrtohet. Nëse sipas saj vlerësohet se kjo e ndihmon Republikën e Kosovës, nuk ka asnjë arsye që mos të përkrahet.

Nuk kam pa ide të tillë të prezantuar formalisht. Kurdo që prezantohet te institucioni i presidentes si kreu i shtetit dhe si udhëheqëse e politikës së jashtme e shqyrtoj dhe pastaj ju njoftoj…… Idetë që prezantohen në media nuk mund t’i shoh si formalisht të prezantuara. Sipas kushtetutës dhe komentarit të kushtetutës përcaktimi i objektivave të jashtme bëhet nga kreu i shtetit si udhëheqëse e politikës së jashtme. Pra kurdo që prezantohet një ide e tillë do ta shqyrtoj por mendoj se është me rëndësi që çdo propozim e ide të analizohet vetëm në kontekst të interesave të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Nëse e vlerësojmë se kjo e ndihmon Republikën e Kosovës natyrisht se nuk ka asnjë arsye që mos të përkrahet por duhet të prisni edhe pak derisa ta diskutojmë në mënyrë formale këtë propozim”, tha Osmani.