Drama e Brexit-it: Boris Johnson kërcënon me zgjedhje të reja

Lufta mes kryeministrit britanik, Boris Johnson dhe parlamentit kalon në raundin e ri. Konservatorët rebelë duan të votojnë me opozitën për të ndalur një Brexit pa marrëveshje.

“Unë nuk dua zgjedhje të reja, ju nuk doni zgjedhje të reja”, deklaroi Boris Johnson nga foltorja e tij para Downing Street të hënën në mbrëmje. Por kjo deklaratë po lexohet ndryshe: Nëse vërtet 20 konsevatorë të Tory dalin si rebelë dhe të martën votojnë me opozitën, atëherë kryeministri do ta konsiderojë këtë si votëbesim. Nëse e humbet, atëherë ai do të ishte i detyruar të shpallë zgjedhjet e reja parlamentare. Në luftën për pushtet mes parlamentit dhe kryeministrit bëhet fjalë për lëvizje strategjike, dhe se kush arrin të manovrojë palën tjetër.

Boris Johnson deklaroi, se është “me besim për progresin që po bëjmë”, duke pasur parasysh me këtë synimin për rinegociimin e marrëveshjes me BE. Por ky progres është vetëm në përfytyrimet e Boris Johnsonit, sepse në Bruksel nuk janë zhvilluar bisedime konkrete për këtë. 

Britanikët duhet të sjellin ide të reja, nëse duan ta fshijnë Backstopin, rregulloren e kontestuar për ruajtjen e kufirit të hapur mes Irlandës dhe Irlandës Veriore. Këtë e bëri të qartë kancelarja gjermane dhe presidenti francez në bisedimet e fundit me kryeministrin britanik.

Por Boris Johnson krijon përshtypjen, sikur kërcënimi me një Brexit të çrregullt dhe pa marrëveshje do bëjë që të gjunjëzohen europianët. “Mos ia prisni këmbët pozicionit negociues britanik”, paralajmëroi ai rebelët në radhët e veta para seancës vendimtare të parlamentit. 

“Pengojeni një zgjatje të pakuptimtë të Brexit”, kërkoi ai, duke pasur parasysh, planet për bllokimin e tij përmes një ligji të përshpejtuar, dhe detyrimin për të kërkuar sërish një shtyrje afati me BE. Këtë nuk do ta bëj “në asnjë rast”, ka thënë Johnson.

Ka dy mundësi: Boris Johnson mund ta injorojë këtë ligj, një mundësi që njëri nga ministrat e kabinetit e ka përmendur ndërkohë. Ose Johnson shpall zgjedhje të reja, duke i hedhur letrat mbi tavolinë e duke shpresuar në fitore me një shumicë parlamentare për një Brexit të ashpër./tch