Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Drama Veliaj: një intrigë politike e Ramës?

Drama Veliaj: një intrigë politike e Ramës?

Telenovela e re mediatiko-politike për të zhvendosur vëmendjen nga kriza reale

Transferimi i Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, i justifikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me arsye sigurie, ka hapur një tjetër kapitull misteri në politikën shqiptare.

Urdhri është klasifikuar si “sekret shtetëror” , ndërsa kryebashkiaku i Tiranës, ende në detyrë, pretendon se nuk është pyetur për transferimin dhe e ka cilësuar atë si një “rrëmbim”.

Por a kemi të bëjmë me një masë të zakonshme administrative, me një lëvizje për të izoluar një kundërshtar të mundshëm brenda mazhorancës, apo me një spektakël politik që i shërben Edi Ramës për të zhvendosur vëmendjen nga problemet e vendit?

Drejtoria e Burgjeve deklaroi sot se transferimi u krye për arsye sigurie, në përputhje me procedurat ligjore, dhe se për rastin është njoftuar edhe Prokuroria.

Sipas saj, urdhri përkatës bën pjesë në dokumentet e klasifikuara sekret shtetëror, ndaj nuk mund të bëhet publik pa respektuar rregullat për informacionin e klasifikuar.

Ndërkohë, Veliaj ka ngritur pretendime për mënyrën e transferimit dhe kushtet në burgun e Fierit, çështje që kërkojnë verifikim nga organet përgjegjëse.

Por përtej versionit zyrtar, lind pyetja se çfarë fshihet pas këtij vendimi. Vetëm tri ditë më parë, Veliaj publikoi në Facebook një status për protestat studentore në Serbi, të cilat rrëzuan Aleksandar Vuçiç, autokratin e Beogradit.

Dhe analogjia dhe insinuatata me Tiranën ishte e dukshme: edhe këtu, protestat studentore po sfidojnë pushtetin dhe po nxjerrin në sipërfaqe një pakënaqësi që nuk mund të shuhet me deklarata apo oferta financiare.

A mund të jetë transferimi i Veliajt një lëvizje parandaluese e Ramës, në një moment kur protestat në Tiranë po krijojnë një klimë të re politike?

A dyshon kryeministri se ish-bashkëpunëtori i tij i ngushtë dhe njerëzit e lidhur me të mund të luajnë ndonjë rol në zhvillimet kundër qeverisë?

Apo izolimi i Veliajt lidhet me një përplasje të brendshme, në të cilën besnikëria e dikurshme nuk përbën më garanci? Këto janë hipoteza dhee jo fakte të provuara, por koha kur ndodh transferimi i bën ato të pashmangshme në debatin publik.

Nëse pas këtij vendimi qëndron vërtet një çështje sigurie, përse nuk jepet një shpjegim më i detajuar, pa cenuar informacionet sensitive?

Sekreti shtetëror zakonisht lidhet me të dhëna, zbulimi i të cilave mund të kërcënojë seriozisht sigurinë kombëtare.

Është e kuptueshme që autoritetet të mos publikojnë çdo hollësi, por kur bëhet fjalë për një personazh me peshën politike të Veliajt, një justifikim kaq i përgjithshëm nuk e shuan dyshimin, por e shton atë.

Dhe pikërisht këtu nis telenovela politike. Duke e lënë publikun në errësirë, institucionet krijojnë një mjegull që do të ushqejë për ditë me radhë mediat, deklaratat politike dhe teoritë për prapaskenat e pushtetit.

Ndërkohë, zhvendoset vëmendja nga problemet e mëdha që kanë nxjerrë në rrugë studentët dhe qytetarët: abuzimi me pushtetin, mungesa e përgjegjësisë politike dhe një qeverisje që po përballet me një krizë të dukshme besimi.

Nëse bëhet fjalë për një procedurë normale, institucionet duhet ta shpjegojnë aq sa lejon ligji. Në të kundërt, do të vazhdojë të rritet dyshimi se drama e Veliajt po përdoret si perde tymi për krizën e rënde politike që po përjeton vendi. \tesheshi