“Dy persona në gjendje të rëndë, sot transferohen në Zagreb”, kjo është gjendja e të lënduarve në Kroaci

10 persona mbetën të vdekur nga një aksident trafiku që ndodhi dje në autostradën afër Slavonski Brod në Kroaci.

Nga 69 persona sa ishin gjithsej në autobusin që u aksidentua, dhjetëra prej tyre pësuan lëndime të rënda dhe janë duke u trajtuar në spital.

Media kroate INDEX, raporton se 42 persona janë dërguar në spitalin e Slavonski Brod, ndërsa dy të tjerë në spitalin e Novi Grad.

Një burrë i cili u shtrua fillimisht në spitalin e Novi Grad me një dëmtim të shtyllës kurrizore u transportua në Zagreb për trajtim të mëtejshëm.

Mes të vdekurve ishte edhe një shofer

Një nga të vdekurit në aksident është njëri nga dy shoferët e autobusit me targa të Kosovës, i cili nuk ishte duke vozitur në momentin kur ndodhi aksidenti.

Djali i tij Adhurim Sylmetaj i dha lamtumirën e fundit me një mesazh në Facebook.

Natën e kaluar, Kryeministri Plenković dhe Kryeministri i Kosovës Albin Kurti vizituan të plagosurit në Spitalin e Përgjithshëm, Slavonski Brod.

Pas kësaj, ata u drejtuan për në konviktin Antonio, ku ishin vendosur katërmbëdhjetë njerëz që nuk u lënduan në aksident.

Siç ka mësuar portali lokal SBOnline, ata do të qëndrojnë edhe sot në Slavonski Brod.