Dy vrasje brenda 8 orëve në Mamuras të Shqipërisë

Brenda harkut kohor prej 8 orësh janë ndarë nga jeta një adoleshent dhe një baba 27- vjeçar. Mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:34 një goditje fatale në zemër do t’i jepte fund jetës së 14- vjeçarit me iniciale A.S nga Fushë- Mamurrasi.

Shkak u bë një sherr banal midis tij dhe një 15- vjeçari i cili e goditi viktimën me mjet prerës në zemër.

Pa marrë ende veten nga kjo ngjarje e rëndë, Mamurrasi është përfshirë në një tjetër tragjedi. Mëngjesin e sotëm rreth orës 04:30 është plagosur me armë zjarri shtetasi 27- vjeçar I.P, i cili gjatë transportimit për në Spitalin e Traumës në Tiranë, ka ndërruar jetë.  I riu sapo kishte dalë nga dera e shtëpisë në momentin që është qëlluar për vdekje.

Burime për Report Tv, bëjnë me dije se shkak i vrasjes është hakmarrja për një plagosje që i ndjeri ka kryer 6 vite më parë ndaj autorit të krimit. Mësohet se i riu jetonte prej kohësh jashtë Shqipërisë dhe se ishte kthyer kohët e fundit në atdhe, tek familja e cila qëndronte e ngujuar prej 6 vitesh, që nga momenti kur viktima kishte plagosur autorin. Sipas këtyre burimeve 27- vjeçari ishte babai i një vajze 4- vjeçare.